
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka marrë vendim që t’i ndalojë të gjitha produktet në treg që nuk i referohen shtetit të Kosovës. Sipas tij kjo urdhëresë erdhi pasi Inspektoriati i Tregut ka hasur në disa mallra që importohen në Kosovë me mbishkrimin “Kosovë/o dhe Metohi”, “Kosovë/o UNMIK” apo “Kosovo/a Rezuluta 1244”.
Shala me vendimin e sotëm ka lëshuar urdhër që ndalon shitjen e këtyre produkteve dhe hyrjen e tyre në Kosovë.
Postimi i plotë i Shalës:
Të nderuar qytetarë,
Pas shqetësimeve të pranuara nga ju dhe njëkohësisht edhe pas raportimit nga mediat në Kosovë, se në tregun kosovar po hasin në produkte të cilat në etiketën e tyre përmbajnë mbishkrimin, (p.sh, Përfaqësues – Distributor – Importues etj., për “Kosovë/o dhe Metohi”, “Kosovë/o UNMIK” apo “Kosovo/a Rezuluta 1244”, Unë sot kam lëshuar një URDHËRESË me të cilën kam obliguar Inspektoratin e Tregut të MTI-së që të kërkojë nga operatorët ekonomik në Kosovë largimin e menjëhershëm të atyre etiketave me atë përmbajtje apo mbishkrim të tillë.
Njëkohësisht kam kërkuar nga Dogana e Kosovës që ta ndalojnë hyrjen Kosovë të çfarëdo produkti në të cilin përdoret mbishkrimi i lartcekur e i cili është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në këtë rast në raport me emërtimin zyrtar të shtetit tonë,
Po punojmë çdo ditë që cilësia dhe mallrat në tregun e Kosovës të jenë të kontrollueshme në mënyrë që ju ta dini saktë çka po konsumoni.
E.SH



