Kosovë, hapen qendrat e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

Mos i humb

Sot në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës që do të mbahen në 19 komuna, ku gjithsej 1.353.613 qytetarë do të mund ta shfrytëzojnë të drejtën e votës në 614 qendra të votimit me 1.777 vendvotime.

Sipas të dhënave të KQZ-së raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave do të mbahet në këto 19 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishëve dhe Kllokot.

Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë në raundin e dytë do të garojnë Shpend Ahmeti nga “Lëvizja Vetëvendosje” (LVV) dhe Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ndërsa në Prizren, Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Mytaher Haskuka nga LVV, në Mitrovicën e Jugut, Valdete Idrizi nga PDK dhe Agim Bahtiri nga Aleanca Kosova e Re (AKR), në Gjilan, Lutfi Haziri nga LDK dhe Sami Kurteshi nga LVV. Ndërsa, në Gjakovë garon Ardian Gjini nga AAK dhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa.

Sipas rezultateve përfundimtare në raundin e parë të zgjedhjeve LDK ka nxjerrë 4 kryetarë komunash, AAK 2, PDK një, kurse LVV nuk ka arritur të nxjerrë asnjë kryetar të komunës. Lista Sërpska ka arritur të nxjerrë 8 kryetar komunash nga gjithsej 10 komuna me shumicë serbe dhe Partia Demokratike Turke në Kosovë (KDTP) ka nxjerrë një në Mamushë.

Kandidatë të pavarur të cilët kanë fituar në raundin e parë janë Bekim Jashari në Skenderaj dhe Rufki Huma në Han të Elezit.

Raundi i parë i zgjedhjeve u mbajt më 22 tetor kur u zgjodhën kryetarët në 19 komunat e vendit. Gjithsej 1.890.952 shtetas me të drejtë vote kanë votuar për 204 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 6.887 kandidatë për kuvende komunale në 38 komunat e Kosovës.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit morën pjesë 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur.

Ndryshe, këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Kosovë. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2013./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit