I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në urimin për festën e Pashkëve, ka përmendur edhe takimet që kishte javën e kaluar me kryenegociatorët në kuadër të dialogut.
Lajçak përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se të dy kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, do të takohen sërish këtë javë në Bruksel.
“Java para pushimit të Pashkëve ka qenë një javë e shkurtër edhe pse intensive. Të hënën prita në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe të Serbisë, drejtorin Petkoviç, për të vazhduar diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të zbatueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Në përgjithësi, ka qenë një takim i dobishëm. Të dyja palët patën mundësinë të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre”, ka shkuar Lajçak.
Ai tha se nga takimi i kësaj jave që do të mbahet të enjten shpreson se Kosova dhe Serbia do të mund të kapërcejnë mosmarrëveshjet e mbetura.