Marrëveshja me Universitetin BOKU të Vjenës, Rama: Transferim i dijeve dhe teknologjisë në UB

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se firmosja e marrëveshjes mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit BOKU të Vjenës krijon një model të ri për universitetet për transferimin e dijeve dhe teknologjisë.

Kryeministri theksoi se Universitetit Bujqësor i Tiranës në partneritet me Universitetin BOKU të Vjenës nisin së bashku një rrugëtim 4-vjeçar, që synon ta transformojë UBT-në në një universitet me standarde europiane.

Në fjalën e mbajtur gjatë kësaj ceremonie, Kryeministri solli në vëmendje situatën në të cilën ndodhej Universiteti Bujqësor i Tiranës 3 vite më parë.

“Përpara 3 vitesh kishit një situatë jo të lehtë me rekrutimet e studentëve dhe rektori erdhi me një propozim, që ishte një propozim i juaji i përbashkët, për Ministrinë e Arsimit dhe për Ministrinë e Bujqësisë, ku kërkoi mbështetje që të më bindnin mua për të ulur mesataren e hyrjes në UB. Unë isha absolutisht kundër kësaj ideje, se nuk bënte sens që për shkak se nxënësit po tregonin më pak interes për UB, mesatarja të ulej që këtu të vinin nxënës që duhet paralelisht të hynin në kurset e shkrimit dhe këndimit”, u shpreh Rama.

Kryeministri kujtoi se përgjigjja e tij për rektorin ishte që duhej të synohej që Universiteti Bujqësor të bëhej atraktiv dhe të kthehej në një destinacion jo vetëm për studentët shqiptarë, por edhe të rajonit, duke e ndërkombëtarizuar ose duke u bashkuar me një universitet ekselence në Europë.

“Kjo me synimin që UB i Tiranës të jetë një universitet ku ti je në Tiranë, por merr gjithçka do merrje nëse do shkoje në Vjenë. Një diplomë që ka të njëjtën vlerë. Natyrisht rektori nuk kishte si të më besonte, se nuk ia lejonte dhe partia, por ne u bëmë bashkë dhe ju e dini shumë mirë që ky proces ka filluar më parë, kur kam ardhur në këtë universitet dhe këtu ishte tmerr me ndërtime pa leje e çmenduri. Nuk ishte më universiteti i dikurshëm i pushtuar nga disa pika, por dukej sikur universiteti kishte hyrë për të pushtuar ato që kishte rreth e rrotull”, u shpreh Rama.

Duke folur për marrëveshjen me Universitetin BOKU të Vjenës, Rama u shpreh se këto janë projekte të mëdha që kërkojnë kohën e tyre.

“E mbaj mend që pas xhentilesës austriake të mikpritjes kur i vajta atje bashkë me rektorin, nuk ishte e lehtë për ta thyer akullin, sepse janë austriakë nuk janë si ne që gjëja e parë që bëjmë është që thyejmë akullin. Dhe ja ku jemi sot në një moment kur u deshën 3 vjet. Natyrisht ne kemi humbur shumë shumë kohë dhe çdo orë e kemi të çmuar por këto janë projekte të mëdha që kërkojnë kohën e tyre”, tha Rama.

“Pastaj që të vijë këtu një nga ekselencat më të spikatura të Europës, 150 vjet universitet, me gjithë këtë delegacion dhe të pranojë ‘martesën’ me ne kjo nuk bëhet siç bëjmë ne kur martohemi që kemi dashuri me shikim të parë. Ata të shohin, të masin, marrin informacione, kontrollojnë, shohin krushqit, vijnë shohin shtëpinë ku do sjellin nusen. Është një histori e gjatë”, shtoi Kryeministri.

Sipas tij, “fakti që kanë pranuar që të vijnë dhe të nënshkruajnë ‘martesën’ me ne është një arritje shumë e madhe”.

Rama theksoi se “tani i takon gjithë trupës akademike që të përfshihet në këtë projekt me mendje dhe me zemër”.

“Ta keni ambicien tuaj edhe personale përveç se profesionale jo vetë si akademikë, por edhe si shqiptarë, që këtë universitet ku kaloni pjesën më të madhe të jetës suaj ta transformoni në një flamur krenarie kombëtare për të gjithë shqiptarët. Është misioni juaj ky, dhe natyrisht, nuk ka diskutim, që me mbështetjen e partnerëve austriakë kushtet për t’u rritur profesionalisht, për t’u përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme dhe për t’u bërë ju stafi akademik i një universiteti europian, në të gjithë kuptimin e fjalës, këtu në Tiranë, janë të garantuara. Qeveria do të jetë në mbështetje të vazhdueshme. Nuk ndërhyjmë në proceset akademike, nuk e dimë se ku janë dhe se çfarë bëjnë rektorët e tjerë, por mesazhi im për pedagogët që do zgjedhin është: ju lutem mos na e prekni Bardhin se është një hudhër pa të cilën gjërat do shkojnë vetëm ters. Nuk e di kush e konkurron Bardhin, të më falë, nuk e njoh, nuk kam asgjë por normalisht tani Bardhi duke ndenjur kaq gjatë me mua, besoj që ka marrë ato të këqijat e mia dhe është kandidati i vetëm apo jo?”, u shpreh Rama.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit