“Marrëveshja për emrin, rruga e vetme për në NATO”

Mos i humb

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit të sotëm me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, porositi se vendi ka mundësi historike që të bëhet anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian (BE), por që ta bëjë këtë doemos duhet të pajtohet me Marrëveshjen për emrin, meqë, siç tha, nuk ka rrugë tjetër për anëtarësim në NATO.

Kreu i NATO-s, Stoltenberg, sot në Klubin e Deputetëve në Shkup u takua me kryeministrin Zaev, ndërsa pas takimit u adresuan në një konferencë e përbashkët për media.

“Ky është një rast historik për vendin tuaj. Bëhet fjalë për një mundësi të papërsëritur që të bëheni anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare. Të bëheni anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, për që ta bëni këtë, doemos të pajtoheni me Marrëveshjen për emrin. Nuk ka rrugë tjetër për anëtarësim në NATO”, theksoi Stoltenberg.

“Unë e kuptoj se disa në vend mendojnë se mund të thonë ‘jo’ për referendumin, e të thonë ‘po’ për anëtarësimin në NATO. Megjithatë, nuk ekziston alternativë e tillë. Ideja se mund ta hidhni poshtë Marrëveshjen me Greqinë dhe të anëtarësoheni në NATO është tërësisht iluzion”, tha Stoltenberg.

Njeriu i parë i NATO-s theksoi se në muajin korrik të këtij viti, Aleanca ftoi vendin që të fillojë bisedimet për anëtarësim, pasi u arrit marrëveshja për zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë, pasi, siç tha, të dyja palët bënë kompromis për një të ardhme më të ndritur.

“Për disa javë keni referendum për Marrëveshjen për emrin. I inkurajoj votuesit që të dalin në numër sa më të madh, kjo është një mundësi që paraqitet njëherë në jetë, të bëheni anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare me të gjitha përfitimet që ajo i bartë me vete”, tha Stoltenberg.

Sipas tij, dera e NATO-s është e hapur, anëtarësimi është para duarve dhe paraqet një mundësi që të përforcohet paqja dhe stabiliteti, si në vend ashtu edhe në rajon.

Ai potencoi se “NATO i ruan të sigurtë një miliard njerëz në botë”, si dhe ajo se siguria sjellë prosperitet ekonomik, duke theksuar se këtë e tregon edhe shembulli me Malin e Zi, investimet e së cilës dyfish janë rritur.

Stoltenberg shprehu falënderim për kontributin e Maqedonisë në operacionet dhe misionet e NATO-s, duke theksuar se dëshiron që ta shohë vendin si të suksesshëm.

“Vetëm populli i këtij vendi duhet të vendos ta kalojë këtë rrugë, ardhmëria juaj është në duart tuaja, ndërsa ne ju presim në NATO”, tha Stoltenberg.

Kryeministri Zaev, falënderoi kreun e NATO-s për, siç tha, angazhimin personal të Stoltenbergut në promovimin e partneritetit dhe bashkëpunimit mes NATO-s dhe Maqedonisë.

Ai theksoi se qytetarët e Maqedonisë çdo herë do ta mbajnë mend se vendimin historik për ardhmërinë e vendit e ka nënshkruar personalisht Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, në Samitin në korrik në Bruksel.

“Me këtë gjest të madh, NATO nxiti dhe përshpejtoi procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO, dhe me këtë forcoi ndjenjën e përkatësisë së vendit tonë në organizatën më të fuqishme të sigurisë në botë”, tha Zaev.

Ai theksoi se ftesa ndikon në kohezionin e brendshëm të Maqedonisë dhe promovon si shembull të Ballkanit Perëndimor si lidership të fuqishëm.

Zaev tha se Qeveria e Maqedonisë përgatit një plan për implemenimin e reformave, në pajtim me Programin e NATO-s, me theks të veçantë të sundimit të së drejtës. Sipas tij, NATO dhe BE janë përcaktim strategjik i Maqedonisë dhe nga kjo nuk përjashtim.

“Referendumi më 30 shtator do të jetë edhe një sfidë e rëndësishme. Ne jemi në një udhëkryq historik për ardhmërinë tonë dhe jam i bindur se qytetarët do ta njohin rëndësinë e momentit për perspektivat e vendit tonë. Pres që partnerët relevant politik, veçmas opozita, do të tregojnë unitet dhe do të kyçen ne proceset. Integrimi në BE dhe NATO janë prioritetet tona nacionale strategjike”, tha Zaev.

Ai shtoi se referendumi do të jetë i suksesshëm dhe se do të arrihet cenzusi i nevojshëm, si dhe ajo se do të vazhdohet me sukses mbi ndryshimet kushtetuese, pa anulime. Zaev shfaqi pritjet se procesi do të përfundojë me kohë, siç tha, që Protokolli për anëtarësim në NATO, të nënshkruhet në fillim të vitit 2019 dhe të mund vendet anëtare ta fillojnë procesin e ratifikimit.

Stoltenberg, paraprakisht u takua me presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov, me kryeparlamentarin Talat Xhaferi, me ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, si dhe me liderin e VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit