Nga Kavaja në Brindizi, mes oshëtimave: “Poshtë komunizmi”, “Liri Demokraci”

Mos i humb

Makinat ushtarake të vendit pritës krijuan një lloj kordoni. Në të vërtetë ishte një kordon humanitar sepse ushtarët shpërndanin ujë dhe ushqime të ndryshme. Nuk ishte e lehtë edhe për ata vetë që të asistonin 25 mijë shqiptarët që kishin ardhur me anije nga Shqipëria. Nuk kishin ardhur aty me kamionët e tyre për të siguruar rendin publik sepse nuk ishte e e nevojshme. Refugjatët shqiptarë ishin të zhurmshëm vetëm kur bërtisnin akoma “Poshtë komunizmi”, “Poshtë diktatori” pastaj në pjesën më të madhe ishin të heshtur dhe të menduar. Kishte shumë prej tyre që lexonin librat e marrë në bibliotekat e anijeve dhe kjo e rriste akoma dhe më shumë interesin e televizioneve europiane. Një pjesë tjetër flinte ndërsa për fëmijët kujdeseshin me shumë përkushtim njerëzit e kryqit të kuq. Shumë prej refugjatëve mendonin për “udhëtimin” dyditor që sapo kishin kryer me anijet e mbushura plot. Plot njerëz që “udhëtonin” pa ujë të pijshëm dhe pa asnjë lloj ushqimi. Ushqimet e pakta që mund të kishin mbetur u jepeshin grave shtatzëna dhe fëmijëve të vegjël. Fillonin përsëri thirrjet kundra komunizmit dhe diktatorit komunist të cilat përfundonin gjithmonë me thirrjet “Rroftë Partia Demokratike”, “Rroftë Berisha”. Dikujt i kujtohej se me thirrjet “Poshtë komunizmi”, “Liri demokraci”, “Rroftë Berisha” ishte pritur edhe ardhja e një Skode të mbuluar në agjencinë e Kavajës. – (Madje edhe rimorkio e saj, gjithashtu e mbuluar, u mbush plot me njerëz që brohorisnin “Poshtë komunizmi”.

Aty brenda pothuaj mungonte ajri. Gjithsesi pasagjerët nuk shfaqnin ndjenja pakënaqësie por në të kundërt ishin të lumtur. Natyrisht për më shumë se dyzet vjet të gjithë kishin ndier mungesa të shumta por sidomos mungesën e lirisë. Shumica ishin të rinj por nuk mungonin edhe moshat e ndryshme. Shumë prej tyre ishin njohur në demonstradat e zhvilluara në qytetin e Kavajës, në mitingjet që organizoheshin në këtë qytet kur Doktori nga Tirana fliste aq me pasion për demokracinë, kur dënonte krimet që kishte kryer diktatura komuniste, kur fliste për rrëzimin e diktaturës komuniste dhe për Partinë Demokratike. Mes brohorimave, aty në rimorkion e mbuluar, të gjithë takoheshin dhe përqafoheshin me njerëz që ndoshta nuk i kishin parë kurrë në jetën e tyre por që automatikisht i konsideronin vëllezër të tyre. Vëllezër të lirisë. Kështu deri në Plepa mes brohorimave dhe ajrit të pakët. Policia filloi të përdorte shkopinjtë e gomës. Turma njëherë u nda për t’u bashkuar sërish kompakte dhe me një forcë të jashtëzakonshme. Policët u sprapsën duke lënë aty këtu ndonjë shkop gome. Autobusi urban që të shpinte në Durrës gjëmonte nga britmat “Poshtë diktatura”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Shoferi dhe fatorinoja bërtisnin gjithashtu. Ashtu me brohorima deri tek stacioni fundor i trenit në Durrës. Pastaj sërish të gjithë bashkë drejt portit drejt ushtarëve që e mbronin, që duhet ta mbronin.

Këta sakaq hodhën veshjet e tyre dhe me armët në dorë ju bashkuan turmës. Dalloheshin tashmë vetëm nga armët që mbanin në duart e tyre. Dikush i dha një pulovër, një tjetër xhupin. Pastaj të gjithë nëpër anijet e portit. Në fillim tek “Teuta”, që gjatë natës të infiltruarit e Sigurimit e dogjën. Pastaj në mëngjes tek “Iliria”. Ashtu bashkë 5 mijë apo më shumë. Të rinj, gra me fëmijë, gra shtatzëna, përsëri ushtarë që hidhnin armët e tyre në det dhe pastaj me një kërcim hidheshin në anijen që duhet të ruanin. Kështu deri në orën 08:20. Gardhi i sampistëve ishte krijuar disi më tej anijeve. Pastaj një gëzim i lehtë, që përshkoi të gjithë që shumë shpejt u kthye në një uturimë. Litarët e tërhequr, një lëvizje e lehtë e anijes, brohorima të shumta, përsëri ushtarë që prisnin momentin e fundit të nisjes së anijeve që hiqnin armët nga qafa pastaj me vrap të hipnin në anije të ndihmuar nga njerëzit. Të përqafuar nga njerëzit e shumtë që puthnin hera – herës kokat e tyre flokëshkurtra. “Ushtria është me ne”.

Ndërkaq platforma largohej pak nga pak. Mes gëzimit, mes ngashërimit, mes brohorimave, mes ulërimave mes lotëve, mes përqafimeve mes frikës së dikujt, anija largohej edhe më, edhe më. A do të qëllonin ata pak ushtarë të Ramiz Alisë? A do të qëllonin sampistët ndoshta? Po anijet luftarake mund të ndërhynin? Anija “Iliria” ecte gjithsesi ashtu e mënjanuar nga pesha e udhëtarëve të cilët që prej atij momenti do të fillonin të quheshin refugjatë. Tani ishin në dalje të portit. Afër anijeve luftarake. Po iknin përkohësisht prej vendit të tyrë. Të bindur gjithsesi që edhe kështu do të ndihmonin në rënien e diktaturës gjakatare komuniste të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.

Po iknin prej tokës së tyre dhe ndërkaq kishin edhe mall për të. Kështu mes ngashërimave, mes gëzimit, mes brohorimave dhe ulërimave, mes lotëve dhe përqafimeve filluan të dilnin në det të hapur. Tashmë larg, larg. Qytetarët e qytetit bregdetar të Durrësit dëgjonin oshëtimat. “Poshtë komunizmi”, “Enver Hitler”, “Liri Demokraci”. Pastaj pllakosi heshtja. Në mendjet e refugjatëve kalonin imazhet e grevës së urisë së studentëve, të demonstratave të Kavajës, fjalimet e Doktorit kundër diktaturës më të egër komuniste shqiptare, imazhet e rrëzimit të bustit të diktatorit. “Poshtë Komunizmi”, “Poshtë diktatura”, “Liri demokraci”, “Rroftë Partia Demokratike, Rroftë Berisha”).

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit