Nissan anulon planet për prodhimin e automjetit të ri në Britani

Mos i humb

Kompania automobilistike Nissan, ka anuluar planet për prodhimin në Britani të Madhe të modelit të saj të ri X-Trail SUV, që është një goditje shtesë për ekonominë britanike në vazhdën e krizës që e shoqëron Brexit-in.

Stafi menaxherial i Nisanit, ka konfirmuar sot pohimet mediatike, duke thënë se X-Trail i ri do të prodhohet në Japoni, dhe jo në veri të Anglisë siç ishte planifikuar fillimisht.

Nissan ka një fabrikë prodhimi në Sunderland, ku ka të punësuar rreth 7.000 persona.

Modeli i ri X-Trail ishte planifikuar të prodhohet pikërisht në Sunderland sipas planit të përpiluar mbi një letër garancie të qeverisë britanike e cila tha më herët se dalja e saj nga Bashkimi Evropian, nuk do të rrezikojë sistemin saj ekonomik.

Mbretëria e Bashkuar, më 29 mars pritet të braktisë BE-në, ndërkohë që plani i largimit shkaktoi ndarje dhe polemika të mëdha në Ishull.

Kujtojmë se referendumi rreth Brexit-it u mbajt në qershor të vitit 2016, dhe që nga atëherë, Bashkimi Evropian ka ndalur të gjitha programet investuese, ndërkohë që shumë kompani britanike janë detyruar të shpërngulin biznesin e tyre në shtete tjera.

Shembulli më i fundit është kompania Dyson, e njohur për prodhimin e markës globale të pajisjeve shtëpiake, që zhvendosi selinë e saj në Singapor. Kompania në fjalë tha se në dy vitet e ardhshme do të lëshojë në shitje automjete elektrike.

Paralelisht me këtë kompania britanike P & O që tashmë për 182 vjet merret me transportin detar, njoftoi javën e kaluar se do të pezulloj regjistrimin e të gjitha mjeteve lundruese në Britani të Madhe, dhe se të njëjtat do t’i regjistrojë në Qipro.

Më herët edhe gjiganti teknologjik, Sony, vendosi të shpërngulet nga Londra në Amsterdam.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit