
Ditë më parë Kosova Post ka raportuar mbi afrimin edhe ushtarak mes Kosovës dhe Turqisë. Hiç më larg se dje, Qeveria e vendit ka miratuar nismën për Lidhjen e Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar Ushtarak ndërmjet Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës të mbajtur të hënën, është miratuar Nisma për Lidhjen e Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar Ushtarak ndërmjet Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj ia dha fjalën ministrit të mbrojtjes, gjeneral Rrustem Berisha për të paraqitur para ministrave kërkesën. Ministri Berisha duke dhënë detaje për bashkëpunimin, rekomandoi miratimin e nismës.
“Bëhet fjalë për një donacion që i dedikohet Ministrisë së Mbrojtjes dhe nisma për lidhjen e marrëveshjes në fjalë i ka kaluar të gjitha fazat procedurale të parapara me rregulloren e punës të Qeverisë numër 09/2011 dhe ligjit numër 04-52, për marrëveshjet ndërkombëtare, dhe rekomandoj të miratohet kjo nismë në fjalë”, tha ministri Berisha.
Ministrat e Qeverisë së Kosovës me të gjitha votat pro, pa asnjë votë kundër e pa asnjë abstenim, miratuan Nismën për Lidhjen e Marrëveshjes Për Bashkëpunim Financiar Ushtarak ndërmjet Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës, përveç nismës për bashkëpunim ushtarak mes Kosovës dhe Turqisë, ka miratuar edhe Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë. Ky projektligj përcakton hierarkinë institucionale dhe procedurën vendim-marrëse në Procesin e Dialogut me Republikën e Serbisë. Po ashtu, rregullon funksionimin e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës për Dialogun me Serbinë, duke përcaktuar strukturën organizative, veprimtarinë, kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit Shtetëror. Mes të tjerash, Projektligji definon qartë edhe ndërlidhjen që Delegacioni Shtetëror mban me institucionet tjera kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në mbledhje, u shqyrtua dhe miratua kërkesa e Delegacionit Shtetëror të Kosovës për ndarjen e buxhetit për procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
Kryeministri Haradinaj në konferencën për media foli për projektligjin për Delegacionin e Kosovës në dialogun me Serbinë, i cili, sipas tij, nuk ndërhyn në kompetencat e presidentit sa i përket dialogut me Serbinë, transmeton TRT.
“Sponsorizuesit e ligjeve e kanë menduar këtë si kornizim, pra si vënie në korniza ligjore të angazhimeve të delegacionit, por nuk ndërhyn në kompetenca të presidentit. Pra, ligji nuk është i këtillë, por vetëm i jep bazë ligjore funksionimit të delegacionit, pra delegacioni funksionon edhe me një ligj”,- tha ai.
Në Qeveri u diskutuan edhe kushtet tjera të PSD-së, ndërsa kryeministri Haradinaj tha se do të diskutohet edhe çështja e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.
“Çështja e ministrit Rikallo është njëra prej tyre kërkesave, ka legjitimitetin e vet dhe si e tillë do të trajtohet, me legjitimitet, me seriozitet. Për data e për këto mos më detyroni me fol”, tha Haradinaj.
Haradinaj foli edhe për Vetëvendosjen e LDK-në, në lidhje me mospjesëmarrjen e tyre në delegacion për bisedime me Serbinë.
“E hetoj një vetëpërjashtim të tyre, edhe nuk e kuptoj pse e bëjnë këtë vetë-përjashtim, ata mund ti thonë pikëpamjet e tyre në tavolinë, cilado qofshin ato, por vetëpërjashtimi është i habitshëm, sidomos vetë-përjashtimi nga LDK”, tha Haradinaj.


