Pritje solemne me rastin e Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut

Mos i humb

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ka organizuar pritje solemne me rastin e 8 Shtatorit, Ditës së pavarësisë së vendit.

Përpos presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, dhe kryeministrit Zoran Zaev, ftesës së kryeparlamentarit Xhaferi iu përgjigjën një numër i madh i ministrave, deputetëve aktual dhe të mëparshëm, ambasadorëve, përfaqësues të gjyqësorit, akademikë dhe përfaqësuesve të bashkësive fetare nga Maqedonia e Veriut.

Në fjalimin e tij, Xhaferi tha se që nga pavarësia, vendi ka përjetuar shumë ngjarje “të bukura por jo edhe aq të bukura”, duke shtuar se sot Maqedonia e Veriut është shtet i qytetarëve të barabartë dhe shtet në të cilin respektohen të drejtat e njeriut.

Xhaferi gjithashtu tha se ekziston vullnet dhe vendosmëri për të përmbushur përcaktimet strategjike të vendit, anëtarësim të plotfuqishëm në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE).

“Në raport me NATO-n, e dini se dinamika e ratifikimit të Protokollit zhvillohet me shpejtësi të paparë deri tani. Prej 29 vendeve anëtare të NATO-s, 21 veçmë e kanë ratifikuar Protokollin ndërsa në katër është në procedurë, që na jep të drejtë të besojmë se procesi do të rrumbullakohet deri në Samitin e NATO-s në Londër në dhjetor të këtij viti”, tha Xhaferi.

Ai gjithashtu tha se anëtarësimi në BE dhe NATO nënkupton sundimin e të drejtës dhe të rregullit juridik në shtet, pa diskriminim, si dhe respektim të të drejtave dhe lirive të qytetarëve pa marrë parasysh dallimet.

Kujtojmë se më 8 shtator të vitit 1991 vendi organizoi referendum për pavarësi nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, ku mbi 95 përqind e qytetarëve që votuan në referendum u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit