Pushtimi disadekadësh armen shkaktoi shkatërrim në Karabak

Mos i humb

Një qytet dikur i famshëm kulturor dhe ekonomik në rajonin e Karabakut të Azerbajxhanit, Agdami, u shndërrua në një qytet fantazmë pasi u shkatërrua plotësisht gjatë 27 viteve të pushtimit armen.

Forcat armene pushtuan 77 për qind të Agdamit në vitin 1993, duke zhvendosur mijëra civilë nga qarku i cili u rimor dhe u çlirua nga forcat azerbajxhanase më 20 nëntor 2020.

Mijëra shtëpi, dyqane dhe qendra historike dhe fetare u shkatërruan nga forcat armene pasi pushtuan qytetin në vitet e 90-ta dhe shkaktuan dëme prej miliarda dollarësh në infrastrukturën civile.

“Qyteti është shkatërruar plotësisht. Edhe vendet historike dhe fetare u shkatërruan nga forcat pushtuese të Armenisë”, tha për Anadolu Agency (AA) Umid S. Isazada, i dërguari special i presidentit për qarkun Agdam.

Ai thotë se deri më tani, shifrat e sakta për shtëpitë dhe dyqanet e shkatërruara nuk janë të disponueshme pasi një studim është duke u zhvilluar, por shifrat janë në mijëra.

Të dielën, AA së bashku me një delegacion mediatik nga Pakistani vizituan qarkun Agdam, ku Isazada i informoi ata për përpjekjet për rindërtim, si dhe për shkatërrimin e kryer nga forcat armene gjatë okupimit.

Përpara vitit 1993, Agdami ishte i famshëm dhe qyteti më i madh i rajonit të Karabakut, me mijëra banorë dhe dhjetëra mijëra hektarë tokë të kultivuar. Kishte gjithashtu një aeroport dhe stacione hekurudhore, të cilat tani janë rrënuar.

Qyteti u themelua në shekullin e 18-të dhe sipas zyrtarëve vendas u emërua Agdam, që do të thotë “Çati e bardhë”, nga sundimtari i Karabakut, Panah Ali Khan, varri dhe kalaja e të cilit ndodheshin gjithashtu atje.

– Forcat armene shkatërruan pallatin dhe varrin e Khan-it

Pallati i Panah Ali Khan-it u shndërrua në rrënoja nga forcat armene, ndërsa varret e Khan-it dhe anëtarëve të familjes së tij, të cilat ndodheshin brenda ambienteve të kalasë, u shkatërruan gjithashtu.

“Para okupimit, kishte një kopsht. Kudo kishte lule, muze, xhami. Por Armenia i ka shkatërruar të gjitha ato vende historike. Madje edhe varret e Khan-it dhe anëtarëve të familjes së tij u shkatërruan”, tha Isazada.

“Kjo ishte një parajsë e lënë pas nga sundimtari i Karabakut. Por sot duket si ‘Hiroshima e Kaukazit'”, shtoi ai.

Termi “Hiroshima e Kaukazit” përdoret nga Azerbajxhani për qytetin Agdam sepse Armenia shkatërroi gjithë qytetin dhe asnjë ndërtesë e vetme nuk ekziston në gjendjen origjinale.

Muzeu i Bukës në Agdam, i cili u themelua në vitin 1983, ndodhej përballë pallatit të Khan-it. Por vetëm muri i përparmë i muzeut mbijetoi ndërsa struktura e mbetur ishte shkatërruar.

“Kishte 2.800 eksponate në këtë muze, por gjithçka u shkatërrua nga forcat pushtuese dhe sot aty mund të shihen vetëm rrënoja”, tha zyrtari, duke shtuar se Teatri Shtetëror i Dramës në Agdam që u ndërtua në vitin 1955 ishte prishur gjithashtu.

“Shkatërrimi i vendeve fetare, historike dhe kulturore në Karabak tregoi urrejtjen e Armenisë për muslimanët”, tha Isazada.

– Dëme në vlerë prej miliarda dollarësh

Në muajin mars, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev tha se organizatat ndërkombëtare dhe ekspertët do të vlerësojnë dëmin e shkaktuar gjatë 30 viteve të okupimit armen.

Tural Ganjali, një anëtar i parlamentit nga rajoni i Karabakut, tha se ekspertët tani po përllogaritin shkatërrimin e bërë.

“Tani ekspertët tanë janë duke llogaritur dëmin që i është shkaktuar Azerbajxhanit gjatë këtyre viteve të okupimit. Nuk kam shifra të sakta, por mund të themi se ndoshta ka pasur qindra miliarda dollarë dëme që janë shkaktuar”, tha Ganjali.

“Pra, përmasat e dëmeve janë të mëdha”, shtoi ai.

Më herët, Aliyev tha se të gjitha ndërtesat në zonë ishin plaçkitur dhe shkatërruar, pasi qëllimi i forcave armene ishte që azerbajxhanasit të mos jetonin më atje.

“Ne do të jetojmë këtu. Do të jetojmë përgjithmonë. Do t’i restaurojmë të gjitha këto ndërtesa, të gjitha. Shikoni se çfarë ka mbetur prej tyre! A e ka ngritur ndonjë organizatë ndërkombëtare këtë çështje në 30 vjet? A është kryer ndonjë monitorim këtu?”, tha ai.

“Ata nuk lanë pas asnjë ndërtesë të vetme të sigurt”, vuri në dukje ai, duke shtuar se armenët do të japin llogari për këtë shkatërrim dhe do të përgjigjet për të në gjykatat ndërkombëtare.

– Rindërtimi i Agdamit

Qeveria e Azerbajxhanit ka miratuar tashmë një master-plan për rindërtimin e qytetit të Agdamit dhe po punohet në disa projekte, duke përfshirë ndërtimin e shtëpive dhe apartamenteve për personat e zhvendosur.

Qeveria ka vendosur gjithashtu të shpallë qytetin e vjetër muze në ajër të hapur dhe të ndërtojë një “muze të fitores” pranë qytetit të rrënuar.

“Ne nuk do ta restaurojmë vetë muzeun, por ai do të jetë pjesë e një kompleksi muzeor nën qiell të hapur për të treguar vandalizmin armen para botës dhe brezave të ardhshëm”, tha Isazada.

Sipas planit, qeveria po ndërton një qytet të ri që do të jetë më i madhi në Karabak dhe i katërti më i madhi në vend, qytet i cili do të strehojë rreth 100.000 njerëz.

“Qyteti i ri do të ketë një qendër, katër parqe të mëdha, vende turistike, një zonë industriale, një kompleks me muze, një liqen dhe kanal artificial, ndërtesa tregtare, shkolla, spitale, dy xhami të mëdha, një kompleks sportiv, një linjë tramvaji dhe rrugë të gjera”, tha këshilltari presidencial për Agdamin, duke shtuar se qeveria ka miratuar gjithashtu ngritjen e Universitetit të Karabakut në Agdam, në të cilin do të studiojnë 10.000 studentë.

“Ky do të jetë një qytet i ri dhe miqësor ndaj mjedisit,” shtoi ai.

Marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur si pjesë e Azerbajxhanit.

Para Luftës së Dytë të Karabakut, rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit, duke përfshirë Karabakun dhe rajonet fqinje, ishte nën pushtimin armen për gati tre dekada.

Përleshjet e reja shpërthyen më 27 shtator 2020 dhe ushtria armene vazhdoi sulmet e saj ndaj civilëve dhe forcave të Azerbajxhanit për 44 ditë, madje duke shkelur tri marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Më 10 nëntor të atij viti, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit