Refugjatët e Arakanit nuk duan të kthehen në Mianmar deri në garantimin e të drejtave

Mos i humb

Muslimanët Rohingya të cilët për shkak të dhunës në Mianmar kanë ikur në Bangladesh, nuk dëshirojnë të kthehen në Arakan, deri sa nuk u jepen garanci të caktuara dhe të drejta, duke përfshirë dhe të drejtën për shtetësi.

Edhe pse jeta në kampet në Cox’s Bazar është larg standardeve, veçanërisht nëse merren parasysh temperaturat jashtëzakonisht të larta të ajrit dhe sasia e lagështisë, shumë refugjatë e konsiderojnë më të mirë se ajo që ata kishin në Mianmar.

Ata mbijetojnë falë organizatave të shumta ndërkombëtare, përfshirë edhe ato të Kombeve të Bashkuara (OKB), por edhe nga Turqia. Në sytë e një numri fëmijësh në kampet në Bangladesh, ardhja e të huajve mund të shihet me mosbesim e shpesh edhe me frikë, që është mjaft e justifikueshme duke patur parasysh se çfarë kanë përjetuar. Por, edhe ndihma më e vogël është e mjaftueshme për të kthyer buzëqeshjen në fytyrat e tyre.

Në kampe mbahen edukime të ndryshme, por për shkak të mundësive të kufizuara të organizatave, fëmijët nuk kanë mundësi të shkollohen. Paksa më me fat ishte Yasin i cili, pavarësisht nga të gjitha mungesat në kampe, jetën në Bangladesh e konsideron më të mirë se tirania me të cilën ishte ballafaquar në Mianmar.

Një nga shqetësimet dhe brengat e shumta të muslimanëve nga Arakani kohët e fundit janë shirat monsun. Organizatat humanitare në këtë zonë po ndërtojnë shtëpi në mënyrë që njerëzit gjatë sezonit të shirave monsun të vendosen në ambiente të sigurta.

Në aksionin e vendosjes së muslimanëve të Arakanit në vende të sigurta është përfshirë edhe Qeveria e Bangladeshit.

Rahmatullah, 50 vjeç, me origjinë nga Arakani, jeton në një nga kampet më të mëdha në zonë, Kutupalongu-3. Në Arakan ai punonte në një farmaci dhe një mëngjes pas 25 gushtit të vitit të kaluar, ai vuri re se si ushtarët e Mianmarit filluan të rrethojnë fshatin.

“Të gjithë banorët u nxorën jashtë. Disa u torturuan. Kur u ktheva përsëri në fshat, të gjitha shtëpitë u shndërruan në hi. Ne vendosëm të iknim”, tha ai.

Ai dhe familja e tij nëpër zonat malore dhe përmes detit udhëtuan për në Bangladesh për 14 ditë. Edhe pse me pikëllim u larguan nga shtëpitë e tyre, nuk duan të kthehen në Arakan sipas kushteve të arritura nga marrëveshja e qeverive të Mianmarit dhe Bangladeshit.

“Kemi frikë se nëse kthehemi në Mianmar, do të vuajmë përsëri. Prandaj Mianmari duhet së pari të na japë shtetësinë, përndryshe nuk do të kemi asnjë të drejtë apo siguri. Prandaj, nuk duam të kthehemi”, shpjegon Rahmatullah.

Në kampin Kutupalong-3 jeton edhe 70-vjeçari Muhammed. Ai në Arakan është marrë me bujqësi, dhe një ditë erdhën ushtarët e Mianmarit dhe i thanë se kjo tokë nuk i përkiste atij dhe se nuk guxon asgjë të mbjellë. Menjëherë pas kësaj, në mëngjes ai pa shtëpitë në flakë.

Ai tha se ushtarët e Mianmarit sulmuan vetëm shtëpitë dhe oborret që i përkisnin muslimanëve. “Nëse nuk na jepet ndonjë e drejtë, ne do të vuajmë përsëri në Mianmar. Kjo është arsyeja pse nuk dua të kthehem”, shtoi ai. /Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit