SHGM: Gazetarët punojnë në kushte pasigurie dhe me paga të ulëta

Mos i humb

“Gazetarët në Maqedoni punojnë në kushte pasigurie nga shkaku se edhe në vitin 2017 ata janë dhunuar, rrëmbyer, kërcënuar me vdekje, shpalleshin tradhtarë, ndërkohë që autoritetet nuk arritën të dënojnë asnjërin nga dhunuesit”, është konstatimi i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), e cila prezantoi raportin për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në Maqedoni për vitin 2017.

Në konferencën për mediat, në të cilën kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, shpalosi detajet e raportit në fjalë, u tha se dhuna ndaj gazetarëve është bërë me porosi, për t’i heshtur ata nga publikimi i keqpërdorimeve nga më të ndryshmet në vend.

SHGM, tha Selmani, gjatë vitit 2017 ka regjistruar 18 sulme të reja mbi gazetarët, nga të cilat 13 janë sulme fizike dhe verbale, ndërsa të tjerat janë fyerje, pengesa në punë dhe shkatërrim i pronës së tyre, duke vënë theksin tek sulmi i përgjakshëm në Kuvendin e Maqedonisë, i cili ndodhi më 27 prill, ku përveç deputetëve pësuan edhe punonjësit e mediave.

“Këta dhunues, sulmuan fizikisht gazetarët dhe kameramanët të cilët i penguan të raportojnë për këto ngjarje të dhunshme, duke iu marrë apo dëmtuar kamerat dhe telefonët celularë. Nën kërcënimin e armëve, gazetarët janë mbajtur peng me orë të tëra, ndërsa policia nuk u ka dhënë asnjë ndihmë”, tha Selmani, i cili shprehu shqetësimin e SHGM-së për mosndëshkimin e dhunuesve.

“Prokuroria Publike ka përpiluar një lëndë për këtë rast, është konstatuar identiteti i dhunuesve, por fatkeqësisht ata akoma nuk janë nxjerrë para drejtësisë”, tha më tej Selmani, për të shtuar se ka përmirësime në punën e policisë e cila identifikon sulmuesit e gazetarëve. Sipas tij lëndët mbeten të bllokuara në prokurori, duke shtuar se nuk ka ndërmarrë masa as ndaj thirrjeve publike për linçim të gazetarëve, të cilat kanë ndodhur në vitin 2017.

Në raportin për vitin 2017, është konstatuar se paralelisht me pasigurinë fizike, gazetarët përballën edhe me një pasiguri ekonomike nga shkaku i pagave të ulëta të cilat nuk u jepen me rregull, ndërkohë që nuk kanë as kontrata të rregullta pune. Sipas hulumtimit të Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve (SPG), 45 për qind e gazetarëve kanë pagë më të ulët se mesatarja në nivel shteti dhe shumicës u vonohen pagat.

Selmani tha se Sindikata është në bisedime serioze me disa nga mediat në vend, ku pritet së shpejti nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive të cilat do të përmirësojë situatën socio-ekonomike të gazetarëve./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit