Sot hyn në fuqi harta e re gjyqësore/ Vetëm një gjykatë Apeli në vend

Mos i humb

Harta e re gjyqësore hyn në fuqi sot në vendin tonë, ku pesë gjykata Apeli shkrihen në një të vetme, në kryeqytet.

Nga 21 mijë dosje që kishte në pritje Apeli i Tiranës, stokut i shtohen edhe 11 mijë të tjera nga rrethet , duke e çuar numrin e çështjeve që presin në 32 mijë.

Gjykatat e Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës, Korçë dhe Gjirokastër do të shkrihen, ndërsa do të mbetet hapur vetëm një zyrë informacioni për qytetarët. Në këto zyra do të punojnë tre nëpunës civilë gjyqësorë dhe qytetarët do kenë mundësi të depozitojnë vetëm kërkesat.

Avokatët e kundërshtojnë hartën e re gjyqësore, të hartuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Si përgjigje ata bojkotuan për disa javë seancat gjyqësore.

Harta e re  parashikon të funksionojë me 16 gjykata në total, 13 të Shkallës së Parë, një Gjykatë Apeli dhe dy gjykata Administrative.

KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar pesë gjykata Apeli në një të vetme në Tiranë, nga 5 gjykata Administrative në vetëm dy, në kryeqytet dhe në Lushnje, ndërsa gjykata të Shkallës së Parë nga 22 që ishin nga sot do të jenë vetëm 13.

Pritet që problematikat e para të shikohen gjatë hedhjes së shortit për dosje të mëdha që s’ka ende një gjyq për to si ajo me rëndësi politike për gjyqin për  Partinë Demokratike dhe lidershipin apo edhe gjyqe si ai i Endrit Dokles.

Vështirësia e dytë pritet të jetë mungesa e ambienteve të mjaftueshme për salla gjykimi dhe zyra për 25 gjyqtarë nga 78 që duhet të jenë në detyrë.

Dhe e treta, vendi i pritjes për qytetarët që do të vijnë nga pesë Apelet që mbyllen.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit