Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka kritikuar rritjen minimale të pensioneve gjatë viteve të fundit, duke theksuar se në një periudhë prej 11 vitesh pensioni i pleqërisë është rritur me vetëm 3000 lekë.
Në një deklaratë të bërë përmes një videoje, ajo vuri në dukje se, ndërkohë që pensionistët përballen me një rritje të çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve, qeveria ka dedikuar 15 milionë euro për ndryshimin e fondeve buxhetore për koncesionet, pas ankesave nga kompanitë për rritjen e çmimeve.
“Sot, 700,000 pensionistë po vuajnë në kushtet më të vështira ekonomike, por qeveria nuk ka marrë asnjë vendim në mbështetje të tyre,” tha Tabaku.
Ajo theksoi gjithashtu se vendimet e qeverisë favorizojnë një pakicë të privilegjuar dhe neglizhojnë shumicën e qytetarëve. Me pensionet dhe pagat më të ulëta në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Tabaku e cilësoi situatën ekonomike të vendit si të brishtë, duke theksuar zhvlerësimin e euros dhe rritjen minimale të ekonomisë.
Sipas Tabakut, 95% e qytetarëve janë detyruar të paguajnë më shumë për të njëjtat shërbime dhe produkte, por marrin më pak përfitime nga rritjet e çmimeve, duke akuzuar qeverinë për mosmbështetje ndaj shtresës së mesme dhe shtresave më të prekura.