Turqia do të forcojë përpjekjet për zonën e sigurt në Siri

Mos i humb

Ankara

Turqia do të forcojë edhe më tej përpjekjet për të krijuar zonën e sigurt në Sirinë veriore, ka thënë Këshilli Kombëtar i Sigurisë.

“Turqia edhe më tej do të forcojë përpjekjet e sinqerta për ta realizuar projektin e zonës së sigurt”, njoftuan nga këshilli i kryesuar nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përmes një kumtese pas takimit në kompleksin presidencial në Ankara.

Në kumtesë theksohet se Turqia e konsideron si çështje humanitare dhe se projekti do t’u mundësojë sirianëve kthim të sigurt në shtëpitë e tyre.

Më 7 gusht, zyrtarët ushtarakë turq dhe amerikanë ranë dakord të krijojnë një zonë të sigurt në veri të Sirisë dhe një korridor paqeje për të lehtësuar lëvizjen e sirianëve të zhvendosur që duan të kthehen në shtëpi. Ata gjithashtu ranë dakord të krijojnë një qendër të përbashkët operative.

Marrëveshja gjithashtu parashikonte vendosjen e masave të nevojshme të sigurisë për të mënjanuar shqetësimet e Turqisë rreth sigurisë, duke përfshirë pastrimin e zonës nga organizata terroriste YPG/PKK, grup të cilin SHBA ndonjëherë e ka cilësuar si aleat.

Këshilli gjithashtu konfirmoi se operacioni anti terrorist “Kthetra” që është nisur në Irakun verior do të vazhdojë derisa rajoni të pastrohet nga terroristët për sigurinë e dy shteteve.

Më 27 maj, Turqia nisi operacionin “Kthetra” kundër organizatës terroriste PKK në veri të Irakut, duke vijuar me fazën e dytë dhe të tretë të operacionit në muajt korrik dhe gusht.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), është përgjegjëse për vdekjen e pothuajse 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.

Këshilli ka njoftuar se Turqia është e përkushtuar të vazhdojë aktivitetet në Mesdheun Lindor brenda korrnizës së shelfit kontinental, i cili është i regjistruar me OKB-në dhe marrëveshjet me Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC).

Turqia vazhdimisht ka kontestuar shpimet e njëanshme të administratës greke qipriote në Mesdheun Lindor, duke pohuar se edhe TRNC po ashtu ka të drejta për burimet në këtë zonë.

Që nga pranvera, kur Ankaraja ka dërguar në Mesdheun Lindor dy anije shpimi, anijet Fatih dhe atë Yavuz, ka vazhduar puna e eksplorimit dhe kërkimit në mbrojtje të të drejtave të Turqisë dhe TRNC-së mbi burimet e këtij rajoni.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit