Ministria e Jashtme e Turqisë përkujtoi masakrën në Hoxhali e cila ndodhi në shkurt të vitit 1992, kur qindra shtetas të Azerbajxhanit, përfshirë gra dhe fëmijë, u masakruan dhe u plagosën nga trupat armene.
Në një deklaratë me shkrim të ministrisë thuhet se më shumë se një mijë persona ishin marrë peng në rajonin e Karabakut të Sipërm në Azerbajxhan.
“Fati i njerëzve të zhdukur është ende i panjohur sot. Ky agresion çnjerëzor kundër civilëve u gdhend në kujtimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe plagosi thellësisht ndërgjegjen e përbashkët”, tha ajo.
“Turqia solidarizohet me vëllezërit dhe motrat e saj të Azerbajxhanit lidhur me këtë sulm brutal dhe masakrën me të cilën u përballën 26 vjet më parë dhe ndan dhimbjen e tyre dhe dënon fuqimisht këtë masakër dhe okupimin e vazhdueshëm të territoreve të Azerbajxhanit nga Armenia”, shtoi ministria.
“Lutemi për mëshirën e Zotit për ata që humbën jetën e tyre në këtë masakër dhe shprehim edhe një herë ngushëllimet tona më të sinqerta për vëllezërit dhe motrat e Azerbajxhanit”, thuhet më tej në deklaratë.
Masakra në Hoxhali konsiderohet si një nga incidentet më të përgjakshme dhe më kontroverse të luftës midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për kontrollin e rajonit të okupuar të Karabakut të Sipërm.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, forcat armene morën qytezën Hoxhali në Karabak më 26 shkurt të vitit 1992 pasi e goditën me artileri të rëndë dhe tanke, të ndihmuar nga një regjiment këmbësorik.
Kur ndodhi masakra, popullsia e qytezës ishte më shumë se 11 mijë banorë.
Sipas shifrave të Azerbajxhanit, ofensiva dyorëshe gjithashtu la të plagosur rëndë 487 persona të tjerë.