Zhupa – Manastirliut: Vrasja e Martinit e lajmëruar, sistemi arsimor ka dështuar

Mos i humb

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, në interpelancë me ministren e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu për vrasjen e 14-vjeçari Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli” nga një bashkëmoshatar, hodhi akuza në drejtim të ministres në lidhje me situatën në arsim.

Zhupa i cilësoi fjalët e ministres si “patetizma”, ndërsa shtoi se nuk tha “asgjë për arsimin”.

“Karrigen tënde e ke shfrytëzuar vetëm për t’i bërë dëme qytetarëve shqiptarë, si në postin e drejtoreshës së QSUT-së, si në postin e ministres së Shëndetësisë dhe tani në postin e ministres së Arsimit”, tha Zhupa.

Deputetja e PD-së ngriti shqetësimin e “like” dhe “share” nga mësuesit. Sipas Zhupës, mësuesit duhet të trajtohen me dinjitet dhe jo të përdoren për “like” dhe “share” në Facebook-un e ministres.

“Shkolla të jetë institucion për të dhënë dije, për të formuar personalitetet e së ardhmes, që mësuesi mos të jetë mësuesi i letrave, por mësuesi që ka merakun e sportit të nxënësit.

Mos të jetë mësuesi që ka merakun të plotësojë sistemin SMIP-in atje, që ia detyron ti, por që ka merakun se çfarë pasionesh dhe dije do nxënësi. Të jetë ai mësues që të ketë mendjen te nxënësi, duhet të jetë një mësues jo patronazhist, por profesionist. Duhet të jetë një mësues i mirëpaguar. Duhet të jetë një mësues i trajtuar me dinjitet dhe jo për ‘like’ e ‘share’ në Facebook-un tënd”, tha Zhupa.

Zhupa theksoi se ngjarja e Martinit ishte një ngjarje e lajmëruar, e sipas saj arsimi ka dështuar.

“Ngjarja e Martinit është një ngjarje e lajmëruar, është sindroma e një sistemit arsimor që ka dështuar. Sindroma e një sistemi që me demek funksionon me e-Albania, që duhet të shkonin në shkollë, por në “Fan Noli” gjeje nxënës nga Sauku, nga Kombinati.

Si ka mundësi Ogerta që të gjithë e dinin se ka dalë audio që ishin me thika me vete dhe oficeri i sigurisë në dinte asgjë? Si ka mundësi që nuk lajmëroi as drejtoresha, as mësuesi, as oficeri prindërit, Ogerta? Si ka mundësi që brenda kësaj që ju quani ‘perimetri i sigurisë 50 m’ nuk kishte këmbë të gjallë njeriu?”, tha Zhupa.

Sipas deputetes qeveria ka ndërtuar “një sistem ku nuk është sistem jeta, por sistemi i propagandës”.

“Vetëm 27% e shkollave drejtohen nga individë të certifikuar. Por drejtorët e tjerë, çfarë janë? Patronazhistë. Kanë merakun që t’i përgjigjen jo nxënësit, po Ogertës.

Ju nuk keni fare interes arsimin, nuk keni interes fare ecjen para të fëmijës shqiptar në shkollat shqiptare, nuk keni fare interes që të investoni para tek arsimi, ju keni interes të investoni para tek tenderat e shkollës me trefishin e kostove, të investoni para në zyra, në shtimin e stafeve të zyrave që nuk japin mësim, por që bëjnë “komente dhe share”.

Ajo protesta qytetare e prindërve, ju nuk mund ta injoroni, tregoni thellësisht se ju duhet të ikni një sekondën e më parë. Po fshihni problemin dhe nuk po vini gishtin në plagë. Akoma bëjnë mësim me dërrasë të zezë dhe shkumës”, tha Zhupa.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit