CILA ËSHTË ËNDRRA JOTE QË DËSHIRON TA REALIZOSH?

Mos i humb

Një ditë u tubuan në Mesxhidil Haram (Qabe) Ibën Omeri me Abdullahun, Musabin dhe Urven, të tre djemtë e Zubejr ibën El-Avamit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, dhe u tha: “Paraqiteni atë që e shpresoni?”

Abdullah ibën Zubejri tha: “Unë e shpresoj hilafetin.”

Urve ibën Zubejri tha: “Unë shpresoj që të jem dijetar dhe njerëzit të marrin dije prej meje.”

Musab ibën Zubejri tha: “Unë shpresoj që të jem udhëheqës i Irakut dhe të martohem me dy gra, Aisha bint Talha dhe Sekine bint El-Husejn.”

Ibën Omeri tha: “Kurse unë shpresoj që Allahu të më falë.”

Abdullahut, Urves dhe Musabit iu dha ajo që e shpresuan, shpresojmë që edhe Ibën Omeri të jetë falur, me lejen e Allahut.[1]

Kur shpirtrat janë të mëdhenj (me ambicie të larta),

trupat lodhen për ta arritur synimin.

Të rinjtë duhet patjetër që të posedojnë shpirt i cili përmallohet për ambicie të lartë. Omer ibën Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, tha: “Shpirti im ka aspiratë të madhe, nuk kënaqet me pak dhe çdoherë kërkon më shumë. Çdoherë kur iu dha diçka nga dynjaja, ai dëshironte dhe synonte atë që është më e mirë se ajo që iu dha. Kur iu dha atij ajo më e mira e dynjasë, hilafeti, atë e mori malli dhe e dëshiroi atë që është më e mirë se hilafeti, Xhenetin e Allahut.”[2]

Omeri ibën Abdulazizi i tha shërbëtorit të vet: “O Rexha! Shpirti im ka aspirata të mëdha. E dëshiroi martesën me Fatime bint Abdulmelik dhe atë e martova, e dëshiroi udhëheqësinë dhe atë e arrita, e dëshiroi hilafetin (të jem prijës i gjithë myslimanëve) dhe atë e arrita, e dëshiron Xhenetin dhe shpresoj që me lejen e Allahut dhe me dëshirën e Tij ta fitojë atë.”[3]

Husejn ibën Alij, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Allahu i do çështjet e larta dhe të ndershme, ndërsa e urren marrjen me gjëra të kota dhe të ulëta.”[4]

U takuan në Meke, Shekik ibën Ibrahim El-Belhij Ez-Zahid, një nga dijetarët e sufive, me Ibrahim ibën Ed’hem, dhe ky i fundit i tha: “Çfarë të shtyri ta lësh dynjanë dhe të punuarit në të?” Shekik ibën Ibrahim u përgjigj: “E pashë me një shkretëtirë një zog me krahë të thyer, atij i erdhi një zog tjetër me krahë të shëndoshë, i cili me sqepin e tij i bartte ushqim zogut me krahë të thyer. Kjo ishte shkaku që e braktisa punën dhe u angazhova me ibadet (sepse risku po ardhka vetë pa punuar).”

Ibrahimi ibën Ed’hemi i tha: “Po ti pse nuk po bëhesh si zogu i shëndoshë i cili e ushqeu zogun e sëmurë e të jesh më i mirë se ai? A nuk e ke dëgjuar hadithin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin të, i cili ka thënë: ‘Dora e epërme (ajo që jep) është më e mirë se dora e poshtme (ajo që merr).’[5] Si dhe nga shenjat e besimtarit është që ta kërkojë gradën më të lartë në të gjitha çështjet e tij, derisa të arrijë gradën e punëmirëve.”

Shekik ibën Ibrahim e mori dorën e Ibrahim ibën Ed’hemit ia puthi atë dhe i tha: “Ti je dijetari ynë, o babai i Is’hakut (për qëllim e kishte Ibrahim ibën Ed’hemin).”[6]

Myslimani nuk kënaqet derisa ta arrijë më të lartën e asaj që e synon nga veprat e tij. Nëse është nxënës, ajo që e kënaq është veç suksesi; nëse është prind, e jep maksimumin në edukimin e djemve dhe vajzave të tij, që ata të jenë shëmbëlltyrë për në të mirë: “…dhe bëna shembull për të mirët!” (El-Furkan: 74)

Shiko ambicien: “Kur ta lutni Allahun, kërkoni prej Tij Firdeusin, sepse ai është mesi i Xhenetit dhe pjesa më e lartë e Xhenetit. Sipër tij është Arshi i Mëshiruesit dhe prej tij rrjedhin lumenjtë e Xhenetit.”[7]

Nuk ka vlerë ai që bëhet barrë për tjetrin dhe çdoherë shikon poshtë, nuk hedh vështrimin mbi gjë, nuk shikon lart, nuk synon të jetë lart dhe as që shpreson të jetë lart, ka ngecur në vend, nuk e di se kush ka ecur përpara tij dhe as që shpreson në esencë ta arrijë atë.

Të rinjtë dembelë, nuk ka hair prej tyre,

ndërsa të bekuar janë të rinjtë ambiciozë.

Njerëzit janë pesë llojesh, ti ku bën pjesë?

Njerëzit janë pesë llojesh kur i numëron;

kalorës në ditën e betejës me mburojë,

i cili lëviz në mejdanin e fushëbetejës të luftojë,

kur takohet me ushtrinë e armikut, e thyen atë;

bamirës që me bujari shpenzon të gjithë pasurinë e tij,

ari dhe argjend;

dijetar që mëson në librin e tij,

fletët i ecën një pas një;

udhëheqës që në mesin tonë e përhap drejtësinë,

në zemrën e tij për krijesat ka mëshirë;

rob që ngritet natën,

i përmalluar dhe ankohet për mallëngjimin që ia jep largësia;

këta janë më të mirët, ndërsa të tjerët, prej tyre s’ka hair,

ata janë robër të këqij dhe barbarë, që kur ecin ua ngushtojnë rrugën të devotshmëve.

Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Njerëzit janë si devetë. Nga njëqind deve, vështirë ta gjesh njërën për kalërim.”[8]

Kuptimi i hadithit është që njerëz me karakteristika të mira dhe cilësi të plota janë pak, si deveja për kalërim në mesin e deveve.[9]

Po të mos ekzistonte vështirësia, të gjithë njerëzit do të udhëhiqnin,

bujaria do të zhdukej dhe guximi do të mbytej.

Ajo që e aktivizon shpirtin që ta bëjë një projekt është meditimi i gjendjes së atyre të moshuarve që u përfundoi jeta pa pasur ndonjë ndikim dhe pa lënë ndonjë gjurmë pas vetes, përveç disa fëmijë që i lindën dhe i lanë pas vdekjes.

Kush mediton në gjendjen e disa të moshuarve të padobishëm, madje janë shndërruar në barrë për fëmijët e tyre, sepse nuk janë përkujdesur që të bëjnë projekte të dobishme me karakter tejkalues për ahiretin dhe dynjanë e tyre, madje do të vërejë që ata kanë filluar të ndiejnë se roli i tyre në jetë ka përfunduar me martesën e fëmijës së fundit.

Një i ri i cili mediton me urtësi dhe mendjemprehtësi në gjendjen e njerëzve të tillë, do ta kuptojë se nëse nuk projekton projekt ambicioz në këtë dynja që e çon për kah e mira e dynjasë dhe e ahiretit, do të arrijë në një gjendje ku do të mendojë se ekzistimi i tij si krijesë është i padobishëm dhe i panevojshëm.

Nëse nuk shpreson ta largosh fatkeqësinë,

dhe nuk ke dëshirë ta bësh të mirën,

dhe nuk ke pozitë që të jetosh me pozitën,

dhe nuk je nga ata që do të ndërmjetësosh në Ditën e Ringjalljes,

atëherë dije se jeta jote në dynja dhe vdekja janë të njëjta,

dhe se ai që shpreson më shumë se ti është i dobishëm

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Dr. Muhamed el Munexhidi

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit