Denaj: Mbrojtja e konsumatorit prioritet absolut

Mos i humb

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e cilësoi sot mbrojtjen e konsumatorit prioritet absolut, ndërsa u shpreh se “përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së mbetet një rrugëtim i padiskutueshëm i Shqipërisë”.

Denaj iu drejtua sot Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE), ku me rastin e Ditës Botërore të të Drejtave të Konsumatorit u organizua takimi ndërgjegjësues me temë: “Sfidat e konsumatorëve në të ardhmen e afërt dhe të largët”.

Sipas ministres suksesi në procesin screening me tre kapitujt 11, 12 dhe 13, është një bazë shumë e mirë dhe cilësore për të projektuar suksesin e këtij rrugëtimi, i cili absolutisht do të kërkojë edhe mbështetjen e biznesit.

“Dua të falënderoj mbështetësit e këtij procesi nga përfaqësuesit e donatorëve si ata brenda BE-së dhe partnerëve strategjikë, përfshirë edhe USAID, që janë përfshirë në mënyrë konkrete me projekte që do na mbështesin në këtë proces legjilsativ në vitet e ardhshme”, tha Denaj.

Ministrja theksoi se veç procesit legjislativ me rëndësi janë edhe investimet, konkretisht në sistemin laboratorik, me mjaft rëndësi në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve.

Denaj informoi se aktualisht në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po përgatiten ndërhyrjet në ligjet që lidhen me sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorit, kafshëve dhe bimëve, të cilat do të dërgohen për miratim në Kuvend në fund të këtij viti.

“Kapitulli i 12-të i sigurisë ushqimore nuk është i vetmi që paraqet sfidë. Kapitulli 11-të i bujqësisë dhe zhvillimit rural ka po ashtu sfidat e veta të cilat ndërlidhen ngushtësisht me të gjithë elementet e sistemit tonë agroushqimor. Jemi duke punuar për përafrimin e plotë të legjislacionit do të ndodhë gjatë vitit 2025”, bëri të ditur ministrja.

Ajo u shpreh se po punohet për krijimin e sistemit të identifikimit të parcelave të tokës dhe të sistemit të plotë të administrimit dhe kontrollit që mundojnë rritjen e efektivitetit të mbështetjes direkte në bujqësi.

“Shqipëria prej shumë vitesh ballafaqohet me problemin e fragmentarizimit të tokave. Po ashtu organizimi i tregut të përbashkët është një sfidë shumë e rëndësishme. Ka nevojë të ulemi të flasim për kapitullin që lidhet direkt me peshkimin. Ligjin e peshkimit këtë vit do ta sjellim për shqyrtim në komisionet parlamentare, por e rëndësishme është edhe pjesa e tregtimit në këtë fushë me standardet më të mira”, theksoi Denaj.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit