“Etiopia fton investitorët dhe sipërmarrësit turq”

Mos i humb

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Etiopisë mund të përshkruhen si të shkëlqyera, tha Ambasadori i Etiopisë në Turqi, Ayalew Gobezie. Gobezie tha se qeveria turke “nuk shfrytëzon Afrikën, por mbështet popullin afrikan”.

Ai falënderoi Presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe qeverinë turke për mbështetjen e lidhjeve më të forta mes dy vendeve. “Qeveria turke ka për marrëdhëniet e saj diplomatike, parimin fito-fito, jo për të shfrytëzuar, por për të mbështetur popullin afrikan dhe zhvillimin afrikan. Ne gjithashtu e ndajmë këtë perspektivë”, tha ai.

Gobezie theksoi rrënjët e thella të lidhjeve mes Turqisë dhe Etiopisë, të cilat datojnë që nga Perandoria Osmane.

“Në vitin 1912, në qytetin Harar u hap Konsullata e parë Osmane-Turke në Etiopi”, tha Gobezie, duke shtuar se ambasada e parë e Republikës së Turqisë në Afrikën Sub-Sahariane u hap në vitin 1926, vetëm tre vjet pas themelimit të Turqisë, në Etiopi.

“Qeveria e Etiopisë hapi ambasadën e saj në Ankara në vitin 1933. Ka një marrëdhënie të gjatë”, shpjegoi ai.

“Turqia dhe Etiopia kanë pasur marrëdhënie dypalëshe më shumë se 100 vjet. Sot, marrëdhëniet mes dy vendeve tona mund të përshkruhen si të shkëlqyera, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik”, shtoi Gobezie.

Tregtia me Turqinë

Turqia dhe Etiopia janë partnerë kryesorë ekonomikë në shumë fusha. Bashkëpunimi tregtar midis dy vendeve është në rritje. Kompanitë turke vazhdojnë të investojnë në sektorë të ndryshëm në vend.

“Një kompani turke po ndërton një hekurudhë prej 386 kilometrash me një buxhet prej 1,7 miliardë dollarësh, i cili shpresojmë se do të përfundojë në dy vitet e ardhshme. Përveç kësaj, investimet e kompanive turke kanë vlerë rreth tre miliardë dollarë. Më shumë se 100 kompani turke po bëjnë biznes këtu dhe kanë krijuar më shumë se 10 mijë vende pune”, tha Gobezie.

“Vëllimi ynë tregtar po rritet gjithashtu dhe tani ka arritur pothuajse në 450 milionë dollarë. Qëllimi ynë është ta rrisim atë në një miliard dollarë në pesë vitet e ardhshme”, shtoi ai.

Ambasadori tha se ekziston qasje e integruar nga qeveria e Turqisë dhe biznesmenët turq për të sjellë zhvillimin në Etiopi. Siç theksoi ai, presidenti Erdoğan ka vizituar Etiopinë tre herë që nga viti 2005. “Vizita e tij e fundit ishte në vitin 2015. Ai është aktualisht në Afrikë përsëri duke vizituar Sudanin, Çadin dhe Tunizinë”, u shpreh Gobezie.

“Ne duam të përmirësojmë diplomacinë tonë ekonomike nëpërmjet kompanive dhe biznesmenëve. I ftojmë investitorët dhe sipërmarrësit turq të vijnë e të investojnë në Etiopi. Ne kemi parqe industriale të gatshme për ta. Është e lehtë dhe fitimprurëse të bësh biznes në vendin tonë”, theksoi ai.

Gobezie theksoi se investitorët turq mund të investojnë në sektorin e prodhimit, duke marrë si shembull sektorn e tekstilit dhe ndërtimit si sektorë kryesues.

Transferimi i shkollave të organizatës terroriste FETO

Gobezie gjithashtu trajtoi çështjen e shkollave të drejtuara më parë nga organizata terroriste FETO, grupi që orkestroi grushtin e dështuar të shtetit vitin e kaluar në Turqi.

Turqia themeloi Fondacionin Maarif vitin e kaluar për të marrë përsipër administrimin e shkollave jashtë shtetit të lidhura me FETO-n. Gjithashtu, fondacioni themelon shkolla dhe qendra të arsimit jashtë vendit.

Deri më tani, rreth 30 vende afrikane i kanë dorëzuar shkollat e ​​FETO-s Fondacionit Maarif ose i kanë mbyllur ato me kërkesë të Ankarasë.

“Qeveritë po punojnë për t’i dorëzuar këto shkolla përmes një procesi ligjor. Qeveria jonë premtoi zyrtarisht të transferojë shkollat ​​e FETO-së te Fondacioni Maarif i Turqisë. Procesi vazhdon dhe besoj se do të përfundojë në vitin 2018”, njoftoi ai.

Gobezie gjithashtu vlerësoi Erdoğanin dhe Turqinë për rolin e tyre kryesues në votimin e fundit të OKB-së i cili hodhi poshtë vendimin SHBA-ve për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit. “Këto lloj konfliktesh duhet të zgjidhen me rezoluta paqësore. Ne jemi pjesë e 128 vendeve që votuan në favor të Kudsit në OKB”, u shpreh ai.

Restaurimet e financuara nga Turqia

Gobezie tha gjithashtu se komuniteti lokal është i kënaqur me projektet në Etiopi nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

“Tre vjet më parë, TIKA filloi një projekt restaurimi në varrin e Mbretit Nexhashi dhe Xhaminë Al-Nexhashi, e cila është xhamia e parë në vend. Xhamia dhe varri ndodhen 800 kilometra larg kryeqytetit”, tha ai.

“Projekti tjetër i restaurimit i TIKA-së është në ndërtesën e vjetër të Konsullatës Osmane në qytetin e rrethuar me mure, Harar, në Etiopinë lindore. Agjencia gjithashtu ndihmon dhe mbështet autoritetet lokale për të rimëkëmbur rreth 70 xhami në Harar Jugol, qytetin historik të fortifikuar i cili është i regjistruar nga UNESCO. Harari thuhet të jetë qyteti i katërt më i shenjtë i Islamit, me 82 xhami, tre prej të cilave datojnë nga shekulli i dhjetë”, shpjegoi Gobezie.

Zyrën e saj të parë në Afrikë TIKA e hapi në Etiopi në vitin 2005.

Ambasadori gjithashtu vlerësoi pozitivisht AA-në. “Anadolu Agency na sjell lajme të vërteta. Unë gjithmonë ju ndjek. Është burimi kryesor për ne për lajmet afrikane, madje edhe për lajmet botërore”, tha ai.

“Ne përfitojmë nga AA . Zyra juaj në kryeqytetin tonë Addis Abeba ndihmon në përmirësimin e marrëdhënieve tona të ngushta”, shtoi ai.

AA planifikon të hapë zyra të reja në Nigeri dhe Sudan në vitin 2018, dhe gjithashtu është planifikuar të rihapë zyrën e saj në Senegal.

Etiopia, kryeqendra e Unionit Afrikan, gjendet në Afrikën Lindore, me një popullsi prej 100 milionë banorësh. Ajo është një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë në botë. Sipas FMN-së, Etiopia këtë vit ka shënuar rritje prej 8,5 për qind./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit