Izrael-Iran: baza ajrore siriane në zemër të një lufte të mundshme

Mos i humb

Fotografitë nga baza ajrore janë tregues se një konflikt në shkallë të gjerë midis dy prej armiqve më të betuar të rajonit, po bëhet gjithnjë e më i mundshëm.

Izoluar në rërat shterpe të Sirisë qendrore dhe me diametër 5 milje në disa zona, T-4 përbën bazën ajrore më të madhe të vendit. Një fortesë e rrethuar nga qindra milje shkretëtirë, T-4 përbëhet nga dhjetëra hangarë të përforcuar për avionët, ku fshihen aeroplanët luftarakë rusë dhe bombarduesit supersonikë Sukhoi.

Përgjatë shtatë vjetëve të konfliktit, pista e saj ka mbetur e nxirë nga rrotat e avionëve që ktheheshin nga misionet në luftën shkatërrimtare midis forcave të Bashar al-Assad dhe kryengritësve që nuk arritën ta rrëzojnë atë.

Vendndodhja e largët e T-4 dhe fortifikimet e periudhës sovjetike e kanë mbrojtur atë nga pjesa më e madhe e dhunës që ka lënë shkretë Sirinë, edhe pse edhe ajo ka shenjat e një shpërthimi që shkatërroi katër helikopterë luftimesh.

Sot, baza është fokusi i një lufte që po fryhet e me gjasa katastrofike, që nuk luftohet midis regjimit sirian dhe armiqve të tij të brendshëm, por nga dy armiqtë më të fuqishëm të rajonit: Izraeli dhe Irani.

T-4 është pikërisht vendi ku Irani ka arritur të vendosë këmbën në territorin e aleates së tij arabe. Sipas zyrtarëve izraelitë, dronët iranianë që përdoren mbi Siri, ngrihen pikërisht nga baza T-4.

Imazhet satelitore të kapura në prill dhe të publikuara nga media tregojnë atë që besohet të jenë mbetjet e një sulmit nga forcat izraelite mbi ato iraniane të pozicionuara në T-4 – prova të një konfrontimi të drejtpërdrejtë midis dy vendeve.

Shkrepur 48 orë pas asaj që Rusia dhe Siria thanë se ishte një sulm i avionëve izraelitë F-15 mbi bazën T-4, imazhet tregojnë atë që duket të jetë pjesa ballore e shtypur e një hangar metalik avionësh. Shtatë anëtarë iranianë të personelit u vranë në sulm, raportoi agjencia e lajmeve të Iranit, Tasnim, që po ashtu publikoi atë që dukej të ishte i njëjti hangar me dyert e shkatërruara nga shrapneli.

Ushtria izraelite më herët kishte postuar një foto ajrore të një droni në bazën T-4 duke dalë nga i njëjti hangar në lindje të bazës, duke treguar se struktura përdorej për operacionet me dronë nga Irani.

“Shanset e një përshkallëzimi në një konflikt të gjerë ushtarak në Siri janë më të larta sesa kurrë më parë”, thotë për “The Guardian”, ish-shefi ushtarak i inteligjencës ushtarake të Izraelit, Amos Yadlin. “Nuk ka dyshim se Irani po planifikon për reagim nga ana e vet. Duhet të presim”.

Lideri i Izraelit, Benjamin Netanjahu prej kohësh ka kërkuar të diskreditojë Teheranin, që e etiketon si “regjim terrorist”.  Të hënën, ai pretendoi se të dhënat e inteligjencës izraelite tregonin se Irani ka gënjyer në lidhje me programine  armëve bërthamore. Edhe pse deklarata nuk dha asnjë provë se Irani ka shkelur marrëveshjen me perëndimin, koha është gjetur e saktë pasi vjen më pak se dy javë përpara se Donald Trump të vendosë nëse do të mbajë në fuqi marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Që prej nisjes së kryengritjes siriane në vitin 2011, Izraeli ka ndërmarrë të paktën 100 sulme me thyerje të kufirit, edhe pse ata kanë shënjestruar aleatët e Iranit, dërgesat e armëve për Hezbollahët, grupin militant libanez. Historikisht, Hezbollahët kanë qenë vegël që Irani e ka përdorur për të goditur Izraelin.

Por, mendimi unanim mes komunitetit të shërbimeve sekrete të Izraelit tashmë është se trupa e Rojes Revolucionare të Iranit ka marrë detyrën e një sulmi hakmarrës, dhe Irani e aleatët e tij kanë paralajmëruar publikisht për përshkallëzim.

Ali Shirazi, përfaqësues i liderit supreme,  Ayatollah Ali Khamenei kërcënoi Izraelin që nëse dëshiron të vazhdojë ekzistencën e tij të dyshimtë duhet të shmangë masat e paarsyeshme, pasi sipas tij, “Irani mund ta shkatërrojë Izraelin”.

Qëllimi i Teheranit, fillimisht, ishte të kufizohej në mbajtjen në pushtet të regjimit të Assad dhe të siguronte një korridor tokësor nga Teherani drejt Libanit. Pasi u arritën këto qëllim, Irani po merr në konsideratë mbajtjen ndezur të një konflikti me intensitet të ulët me Izraelin, me qëllimin e mbajtjes të zënë të Izraelit dhe rritjen e kostos së sulmeve potenciale izraelite kundër Iranit në të ardhmen.

Ministri i Jashtëm Iranian, Mohammad Javad Zarif, ka mohuar që Irani të operojë dronë brenda vendit dhe thotë se T-4 nuk është një bazë iraniane. Sidoqoftë, një burim ushtarak izraelit thotë se ka ende dronë në bazë. “Ne e dimë me saktësi se ka dronë iranianë në T-4”, tha burimi, pa specifikuar numrin e tyre.

Në atë që u interpretua si përpjekje për të frikësuar Iranin nga çdo planifikim, fotografitë bardhë e zi të bazave në Siri ku operojnë forcat iraniane u publikuan për median izraelite dhe atë ndërkombëtare.

Sipas korrespondetit ushtarak të gazetës së Izraelit, “Haaretz”, mesazhi ndaj Iranit ishte i qartë: “Ushtria juaj është transparente ndaj shërbimeve sekrete izraelite dhe ndaj e ekspozuar për sulme të tjera”.

Ndërkaq, në lartësitë Golan të cilat u morën nga Siria në vitin 1967 dhe prej asaj kohe mbeten të pushtuara, ushtria izraelite ka nisur të përgatitet për mundësinë e një lufte ndërkufitare, një situatë që vendi i vogël nuk e ka përballur me dekada.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit