KDI: 44 për qind e qytetarëve nuk i shohin zgjedhjet si zgjidhje për dialogun

Mos i humb

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në konferencën për media sot shpalosi rezultatet e sondazhit “Këndvështrimi i qytetarëve rreth dialogut Kosovë-Serbi pas formimit të delegacionit shtetëror”.

Sipas këtij sondazhi, 35 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk besojnë se Delegacioni Shtetëror për dialog do të arrijë t’i mbrojë interesat e Kosovës në kuadër të procesit të dialogut. Ndërsa 34 për qind e tyre e besojnë një gjë të tillë, megjithëse 28 për qind nga ta nuk kanë qëndrim mbi këtë çështje.

Violeta Haxholli nga KDI, tregoi se shumica e qytetarëve gjithashtu mendojnë se dy partitë opozitare që nuk bëjnë pjesë në Delegacionin Shtetëror për dialog me Serbinë duhet të përfshihen në këtë proces.

“Ne kemi parë se këto dy parti e kanë kundërshtuar krijimin e këtij ekipi dhe gjithashtu kanë refuzuar të jenë pjesë e delegacionit shtetëror. Prandaj, ne kemi dashur të dimë edhe mendimin e qytetarëve se a mendojnë ata se këto dy parti duhet të përfshihen në delegacion. 46 për qind e qytetarëve janë përgjigjur se mendojnë që këto dy parti (LDK-VV), duhet të përfshihen në Delegacionin Shtetëror, kundrejt 22.1 për qind të qytetarëve të cilët mendojnë se asnjëra nga këto dy parti nuk duhet të përfshihet në delegacion”, tha Haxholli.

Ndërsa Jeta Krasniqi, nga ky institut, tregoi se rreth 50 për qind e qytetarëve nuk i shohin zgjedhjet parlamentare si zgjidhje, në prag të përfundimit apo vazhdimit të dialogut.

“Dy partitë opozitare LDK dhe VV kanë kërkuar që të bëhet rilegjitimimi i qeverisjes aktuale para se të vazhdohet me procesion e dialogut Kosovë-Serbi. Kanë kërkuar pra të shkohet në zgjedhje dhe ne kemi pyetur qytetarët si e vlerësojnë këtë kërkesë nga dy partitë opozitare. Qytetarët vlerësojnë që duhet të ketë zgjedhje para vazhdimit të fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi. Dhe ajo çfarë del në pah është se 43.7 për qind e qytetarëve kanë vlerësuar se nuk duhet të ketë zgjedhje para vazhdimit të fazës finale të dialogut kundrejt 31.4 për qind e qytetarëve të cilët vlerësojnë se duhet të ketë zgjedhje”, ka thënë Krasniqi.

Në fund të sondazhit janë prezantuar edhe të gjeturat lidhur me afatet kohore brenda të cilave duhet të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi. Ku u shpalos se 32 për qind e qytetarëve mendojnë që marrëveshja duhet të arrihet gjatë vitit 2019, ndërsa 29 për qind janë përgjigjur se nuk duhet të ketë fare afate kohore për arritjen e marrëveshjes.

Sa i përket metodologjisë, ky hulumtim është zhvilluar gjatë periudhës prej 3 deri më 12 mars të këtij viti, si dhe ka përfshirë një mostër përfaqësuese prej 1070 respondentësh në nivel vendi, nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit