Gjykata Supreme e Maqedonisë se Veriut ka vërtetuar vendimin e Këshillit Penal për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës Penale Shkup, ndërsa ka konstatuar se nuk janë përmbushur kushtet për ekstradimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, në Serbi.
“Në përputhje me përcaktimet e Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtare në materien penale dhe Konventës Evropiane për ekstradim…Këshilli Penal ka gjetur se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për ekstradimin e personit T.M”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Supreme.
Vendimi i Gjykatës Supreme duhet t’i dërgohet tani Ministrisë së Drejtësisë , e cila po përgatit vendimin final për refuzimin e kërkesës së palës serbe për ekstradimin e ish pjesëtarit të UÇK-së. Tomor Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletëarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.
Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vitesh, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë. Arrestimi i tij ka shkaktuar reagime të shumta nga autoritetet në Kosovë dhe partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Morinës.