NATO shënon 70-vjetorin e themelimit

Mos i humb

E themeluar në Washington më 4 prill të vitit 1949 nga 12 shtete themeluese, sot, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) shënon 70 vjet aleancë me aktualisht 29 shtete anëtare, në mesin e të cilave është Shqipëria, ndërkohë që anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut është çështje muajsh pas nënshkrimit të Protokollit në shkurt të këtij viti.

NATO, që për objektiv kryesor të saj thotë se ka sigurimin e pavarësisë dhe sigurinë e vendeve anëtare përmes mjeteve politike dhe ushtarake, më së shumti është e njohur për nenin e 5-të, i cili përfshin të gjithë anëtarët në një mbrojtje kolektive.

Sipas nenit 5 të NATO-s, “palët janë dakord se një sulm i armatosur kundër një ose më shumë vendeve në Evropë ose në Amerikën e Veriut, konsiderohet sulm kundër të gjithë anëtarëve”.

Që nga themelimi dhe deri më sot, ky nen është përdorur vetëm një herë, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA.

– Nxitje e efektshmërisë së saj

Gjatë Luftës së Ftohtë, forca ushtarake dhe politikat ekspansioniste të Bashkimit Sovjetik nxitën debatin për efektshmërinë e NATO-s përball kërcënimeve komplekse të sigurisë.

Kur ky perceptim ndryshoi si pasojë e shpartallimit të Bashkimit Sovjetik në vitet e hershme të 90-ta, aleatët e NATO-s bënë reduktime drastike të shpenzimeve në mbrojtje.

Megjithatë aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, dëshmoi se kërcënimet ndaj Aleancës nuk ishin zhdukur.

Si rrjedhojë, në takimin e mbajtur në Varshavë në vitin 2014, anëtarët e Aleancës u zotuan të ndajnë 2 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB) për shpenzime në mbrojtje.

Në vjeshtën e vitit 2016, presidenti amerikan, Donald Trump, akuzoi anëtarët e NATO-s se nuk po paguajnë për pjesën e tyre.

Sipas të dhënave të tanishme, që nga viti 2016 aleatët kanë shpenzuar 41 miliardë dollarë shtesë në mbrojtje. Deri në fund të vitit, kjo shifër pritet të rritet në 100 miliardë dollarë.

Në vitin 2018, shpenzimet e mbrojtjes së shtatë anëtarëve të aleancës arritën 2 për qind të PBB-së së tyre.

– Aleanca e modernizuar

NATO ka ndërmarrë hapa konkret drejt modernizimit të saj, veçanërisht në vitin 2018, kur në samitin që u mbajt në Bruksel mori vendime të rëndësishme për të përshtatur dhe modernizuar strukturën e saj komanduese për të rritur aftësitë e reagimit duke mbrojtur aleatët e saj nga kërcënimet e mundshme nga Rusia.

Në vitin 2020, NATO pritet të ketë 30 batalione të mekanizuara, 30 flota luftarake ajrore si dhe 30 anije luftarake, të gatshme për të operuar brenda 30 ditëve.

Me një synim të qartë që të ketë një rol më aktiv në luftën kundër terrorizmit, misioni trajnues në Irak, konsiderohet një hap i rëndësishëm.

NATO ka kryer mbi njëqind stërvitje në vitin 2018, ndërsa një total prej 50.000 ushtarësh, 250 avionë, 65 anije dhe 10.000 automjete, morën pjesë në Trident Juncture, e cila u mbajt në Norvegji, që konsiderohet stërvitja më e madhe që nga Lufta e Ftohtë.

– Maqedonia e Veriut drejt anëtarësimit

Një tjetër metodë të cilën NATO e përdor për të rritur efektshmërinë e saj, është politika e saj e dyerve të hapura.

Sipas kësaj politike, secili vend që synon anëtarësimin në këtë Aleancë duhet të jetë gjeografikisht në Evropë, me një qeverisje demokratike si dhe “të ketë kapacitetin dhe vullnetin për të kontribuar në sigurinë e rajonit Euro-Atlantik”.

Në bazë të këtyre parametrave, NATO pritet të zgjerohet me pranimin e Maqedonisë së Veriut, pasi të gjitha shtetet anëtare të ratifikojnë në Parlamentet e tyre Protokollin e pranimit, gjë të cilën tashmë e kanë bërë nëntë shtete.

Pas miratimit të protokolit në parlamentet e vendeve anëtare, Maqedonia e Veriut fillimisht do të marrë pjesë në mbledhjet e aleancës si i ftuar, ndërsa më pas do të jetë anëtari i 30-të i aleancës.

Maqedonia e Veriut dhe fqinji i saj jugor Greqia, nënshkruan Marrëveshjen e Prespës në qershor të vitit të kaluar në anën greke të Prespës, me të cilën arrihet zgjidhja e mosmarrëveshjes së gjatë me dekada rreth emrit, me të cilën pasoi procesi i votimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend sipas të cilave vendi ndryshoi emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Gjeorgjia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Ukraina gjithashtu duan të bashkohen me NATO-n, dhe për të gjitha Rusia kundërshton ashpër.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e përshkroi NATO-n si “aleanca më e fuqishme dhe më e suksesshme në histori”.

Ai e lidhi suksesin duke thënë se është e aftë të “përshtatet ndaj ndryshimit”. Megjithëse efektiviteti është debatuar prej kohësh, NATO vazhdon të ekzistojë edhe pas 70 vjetësh në një epokë të aleancave ushtarake me jetëgjatësi të shkurtër.

– Turqia në NATO

Që nga anëtarësimi në vitin 1952, NATO ka luajtur një rol kyç në sigurinë e Turqisë dhe ka kontribuar në integrimin e saj në bashkësinë euroatlantike.

Turqia nga ana e saj beson se një dialog konstruktiv midis NATO-s dhe Rusisë do të ishte shumë i rëndësishëm për stabilitetin euro-atlantik dhe se këshilli NATO-Rusi siguron forumin e nevojshëm.

Turqia, me perspektivën e anëtarësimit në BE, beson se integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm dhe kështu mbështet anëtarësimin e vendeve të interesuara në NATO, veçanërisht Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje dhe Hercegovinën.

– Shqipëria në NATO

Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009, ndërsa mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009.

Shqipëria është bërë pjesë e dhjetëra operacioneve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Irak dhe Afganistan, ndërsa gjatë 10 viteve si pjesë e Aleancës, Ushtria e Shqipërisë është përfshirë në një proces transformimi dhe modernizimi.

Në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe 70-vjetorin e krijimit të Aleancës, marrëdhëniet Shqipëri-NATO, kanë hyrë në një fazë të re, pas vendimit të Aleancës për të ndërtuar në Kuçovë, një bazë ajrore, ku NATO ka parashikuar të investojë në Bazën Ajrore të Kuçovës, gjatë 5 viteve të ardhshme 51 milionë euro.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit