Vlerësim për qeverinë e re, gatishmëri për mbështetje të gjithanshme dhe të palëkundur ndaj Kosovës, i shprehu i ngarkuari me Punë i Arabisë Saudite në Tiranë, që mbulon shtetin tonë, Fayez Almeyat, ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë një pritje që ky i fundit i bëri diplomatit saudit në ambientet e MPJ-së.
Në kuadër të këtij takimi, kryediplomati kosovar vlerësoi si të jashtëzakonshme ndihmën saudite në gjithë fushat, duke filluar me njohjen e hershme, që përcaktoi një fluks tjetër njohjesh të Kosovës prej vendeve të tjera arabe dhe islamike.
Ai, tutje kërkoi,që Arabia Saudite të shtojë numrin e studentëve kosovarë në degë të tjera si mjekësia, inxhinieria, etj, veç degëve teologjike.
Shefi i diplomacisë kosovare kërkoi, gjithashtu që të firmosen marrëveshje të reja bashkëpunimi si dhe të vendoset reciprociteti në lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve.
Në vazhdim të takimit, Pacolli e quajti të nevojshme angazhimin e shtuar të Arabisë Saudite si vend mik për shtimin e njohjeve, duke i kërkuar edhe vende specifike me të cilat ky shtet ka marrëdhënie të shkëlqyera./Kosova Post/