Rama në Viterbo me rektorët e universiteteve të Romës dhe rajonit të Lazios, nënshkruhen marrëveshjet për diploma të dyfishta me universitetin e Tuscia-s

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Itali, zhvilloi sot një takim në me Ministren e Universitetit dhe Kërkimeve Maria Cristina Messa dhe rektorët e universiteteve të Romës dhe rajonit të Lazios, me qëllim rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e studimeve universitare, për rritur shkëmbimet mes stafeve akademike dhe bashkuar programe për diploma të dyfishta.

Në këtë takim u nënshkruan marrëveshjet për diploma të dyfishta midis universitetit të Tuscia-s në Itali dhe universiteteve shqiptare: Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti Bujqësor, Universiteti Mesdhetar.

Marrëveshjet janë në fushën e Biologjisë mjedisore në Bachelor me Universitetin e Tiranës; Pyjeve dhe mjedisit për UBT; Inxhinierisë mekanike me UPT në nivel master dhe Marketingut me UMSH.

Marrëveshjet parashikojnë që studentët në këto programe të bëjnë një vit studime në Shqipëri dhe një vit në Itali. Në përfundim studentët do të marrin diploma të dyfishta.

foto galeri

foto galeri

foto galeri

* * *

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e zhvilluar me rektorët e universiteteve të Romës dhe rajonit të Lazios:

Faleminderit! Për mua është me të vërtetë një kënaqësi shumë e madhe. Me siguri, është dhe një nder që jam këtu dhe që përjetova mikpritjen dhe ngrohtësinë që nga minuta e parë e mbërritjes sonë dhe për këtë do të doja të falenderoja sidomos rektorin dhe ekipin e tij. Ata u treguan me të vërtetë shumë bujarë dhe shumë të gatshëm ndaj nesh.

Për ne është një çast ky shumë i rëndësishëm në përgjithësi, por edhe këtu në veçanti, është i rëndësishëm fakti që jemi këtu sot me të gjithë ju që të mund të vazhdojmë përpjekjet tona për të krijuar sinergji, bashkëpunime të reja me sistemin universitar italian dhe të hapin dyer të reja bashkëpunimi në emër të një të ardhmeje, të cilën kemi përgjegjësinë për ta bërë sa më shumë të sigurt që të jetë e mundur.

Dua të them që më bëri jashtëzakonisht përshtypje të mirë biseda që pata me rektorin pasi munda të kuptoj menjëherë ngjashmëritë e shumta mes Shqipërisë dhe Italisë në këtë fushë, por me një periudhë kohe të ndryshme. Me fjalë të tjera, problemet që ne kemi sot përpara nesh, janë probleme që nga sa munda të kuptoj nga rektori, janë probleme, të cilat kanë qenë të pranishme në sistemin universitar italian disa vite më parë, ndërsa problemet që janë tani të pranishme për universitetet dhe botën e arsimit e edukimit në Itali, janë njëherësh dhe probleme të përbashkëta. Duke nisur nga një problem, i cili ndjehet fort në këtë anë dhe në anën tjetër, sidomos në qendër të Italisë dhe në jug, siç është problemi i ikjes së të rinjve drejt veriut në përgjithësi dhe në përgjithësi, ikja e të rinjve drejt veriut të Europës.

Ndërkohë që, ajo që kemi të përbashkët është një sfidë shumë e rëndësishme. Do na duhet të kuptojmë dhe ta orientojmë këtë problem në një mënyrë racionale, me përgjegjshmëri, pa rënë në kurthin e politikave të së shkuarës, të cilat nuk kanë ndryshuar asgjë në situatë.

Për ne tani është e rëndësishme të shohim dhe të shfrytëzojmë të gjitha hapësirat për të ndërkombëtarizuar më shumë universitetet tona, për t’u dhënë të rinjve shqiptarë, por edhe të rinjve të tjerë në rajonin tonë dhe pse jo, të rinjve italianë, pra, për t’u dhënë atyre mundësinë për të studiuar në Shqipëri dhe për të pasur në dispozicion programe dhe një cilësi të ngjashme me atë që kanë në Itali.

Kemi një shembull të veçantë dhe domethënës në Shqipëri, në Tiranë. Është shembulli i universitetit të Zojës së Këshillit të Mirë, universitet ky, i cili u themelua vite më parë pas një kërkese të bërë nga Nënë Tereza dhe më pas me mbështetjen e Selisë së Shenjtë.

Është ky një universitet, i cili na jep mundësinë të kuptojmë se si mund të lindin dhe se si mund të funksionojnë këto sinergji, këto bashkëpunime. Është një universitet i mirëfilltë italo-shqptar, jo vetëm përsa i takon stafit akademik të vet, por edhe përsa u takon studentëve, studentët që janë një përzierje e pastër, e qartë e të rinjve italianë dhe shqiptarë, të cilët studiojnë së bashku dhe pastaj, në mënyrë individuale vendosin se si ta vazhdojnë më tej rrugëtimin e tyre.

Më duket mëse e qartë që me universitetet italiane mund të shkohet përpara në këtë kuptim, duke filluar edhe nga fakti i thjeshtë që ekziston një lidhje e veçantë mes Italisë dhe Shqipërisë.
Për shqiptarët në përgjithësi, Italia është le të themi, një pjesë e tokës së tyre, e ëndrrave të tyre sepse sigurisht është një det që na ndan, është një histori që, jo gjithmonë na ka bashkuar, por ekziston një ndjesi shumë e qartë e thellë përkatësie e diçkaje të përbashkët dhe që është jashtëzakonisht shumë e afërt.

E pra, pikërisht për këtë, në të gjitha nivelet, marrëdhënia me Italinë është një marrëdhënie tejet e veçantë. Sa i takon arsimit, ka shumë për të bërë dhe ka një potencial me të vërtetë shumë të madh.

Pastaj, sigurisht mes kësaj është edhe Europa, programet europiane që ne do donim t’i shfrytëzonim sa më mirë të ishte e mundur, duke përfituar edhe nga njohja e thellë që Italia ka për këto programe dhe duke përfituar edhe nga kapacitetet që Italia ka për të shfrytëzuar sa më mirë të jetë e mundur këto programe.

Meqenëse këto programe janë edhe programe, të cilat lidhen me faktin e sinergjisë apo të bashkëpunimeve që mund të krijohen, atëherë pse të mos vazhdojmë më tej me më shumë vendosmëri për të krijuar dhe vendosur sinergji të tilla e për të përfituar sëbashku prej tyre në mënyrë të ndërsjellët.
Ne kemi shumë për të mësuar dhe jemi me të vërtetë shumë me fat që jemi kaq afër Italisë dhe nga ana tjetër, ndërkohë Italia ka këtë gatishmëri vëllazërore ndaj Shqipërisë, një gatishmëri për të na dhënë sa më shumë atë që është gjëja më e rëndësishme në rrugën e zhvillimit, njohurinë. Vendet tona dallojnë nga njëri-tjetri, jo për atë që kanë, por për atë që dinë.

E pra, në këtë pikë do të na duhet të bëjmë të gjithë më shumë, por siç thashë më parë, ne jemi me të vërtetë më fat që ju jemi juve kaq afër e kaq të gatshëm që të mund të mësojmë më shumë e të mund të mësojmë edhe më shpejt.
Unë besoj se ekzistojnë premisat që të vazhdojmë më tej me më shumë vendosmëri dhe më shpejt, ashtu sikur u tha këtu sot, ekzistojnë disa protokolle tashmë, ekzistojnë disa marrëveshje dhe sot do të firmosen marrëveshje të tjera, por ajo që është e rëndësishme është që të mund t’i vëmë këto marrëveshje, këto protokolle në dispozicion të profesorëve dhe të studentëve e të mos i lëmë ato thjeshtë në letër.
Ajo që është e rëndësishme është zbatimi i tyre dhe për të zbatuar të gjithë atë që ne nxjerrim në formë ligji, do të na duhet t’i japim më shumë pushtet, më shumë forcë të gjithë atyre që duhet të përfitojnë nga këto nënshkrime, nga këto ligje.
Në këtë rast, duhet t’i japim më shumë forcë e pushtet botës së universiteteve, profesorëve, lektorëve, studentëve sepse në fund të fundit atyre do t’u duhet të zbatojnë atë që në ligj del sepse nëse ligjet ne do t’i mbajmë peng, të gjitha dhomave apo kthinave apo korridoreve apo paragrafëve të ligjeve, atëherë nuk do të shërbejë për asgjë.

Pika e fundit që do doja të cekja është bashkëpunimi ynë edhe në fushën e mjekësisë.
Mesa duket është një temë kjo që ngjall shumë interes, jo vetëm për ne, por edhe për Italinë.
Unë shpresoj shumë që të mund të krijojmë sinergji të reja me universitete italiane sepse është një sektor ku fare qartë edhe në Itali ndihet gjithnjë e më shumë nevoja, jo vetëm për të formuar studentë, por edhe për të mbajtur mjekë dhe infermierë në të gjitha ato zona të vendit që janë më pak tërheqëse se sa veriu i Italisë apo se sa veriu i Europës.

E njëjta gjë vlen dhe për ne. Në këtë mënyrë, me siguri ne do mund të rrisim sëbashku numrin e mjekëve dhe të infermierëve që duhet të jenë në shërbim të komuniteteve edhe në ato zona të vendit këtu në Itali, por dhe në vendin tonë, pavarësisht nga fuqia që këto zona, këto vende kanë për të tërhequr mjekët dhe infermierët, duke i krahasuar me vende apo zona shumë më tërheqëse si në veriun e Italisë, ashtu dhe në qendrën e Europës, pra në vende të tjera.
Unë besoj që është pikërisht kjo koha që të pranojmë sfida të reja, që bota e re i shpalos përballë nesh sepse ndërkohë që ekziston një potencial shumë i madh i punësimit të të rinjve pa qenë e nevojshme që ata të ikin nga vendi ku banojnë apo ku jetojnë e kjo përmes internetit, është një biznes i tërë botëror që krijon miliona vende pune, një biznes në dispozicion të të gjithë atyre që kanë njohuri të teknologjisë së lartë. Ne nuk mund të presim që koha të kalojë për ta orientuar ashtu siç duhet edhe këtë potencial kaq të madh.
Ju falënderoj vërtetë shumë për mikpritjen tuaj!
Falenderoj dhe njëherë rektorin!
Falënderoj ministren për udhëtimin që ju desh të bënte për të ardhur këtu sot, edhe pse nuk është dhe kaq larg nga kryeqyteti.
Për ne është vërtetë një kënaqësi shumë e madhe dhe shpresoj ta shkëmbej e tua kthej këtë kënaqësi, duke ju ftuar të gjithëve në Shqipëri e të mund të përjetoni të njëjtën kënaqësi që unë pata kur rektori zbriti në Tiranë dhe nuk arriti të kuptonte se ishte i njëjti vend që kishte parë shumë vite më parë, por tërësisht i ndryshuar dhe befasuese. Ishte si të thuash një copë e Italisë, ndoshta me më shumë defekte, me më pak të mira, por sidoqoftë një pjesë e Italisë.
Faleminderit!

“📍Viterbo, Romë – Me rektorët e universiteteve të Romës dhe rajonit të Lazios, për të rritur bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e studimeve universitare, rritur shkëmbimet mes stafeve akademike, bashkuar programe për diploma të dyfishta 🇦🇱🤝🇮🇹
#ShqipëriaEArdhmjaJonë☀️🇦🇱
#SkaKohëPërPushim🏃‍♀️🏃🏻‍♂️”, shkruan Rama.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit