“Me vendimin që mori, Uashingtoni po bën hapa për të prishur themelet e juridiksionit ndërkombëtar për Lindjen e Mesme dhe përshkallëzuar tensionin në marrëdhëniet Palestinë-Izrael”, thuhet në një komunikatë me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë mbi çështjen në fjalë.
“Izraeli po bën shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duke pushtuar territoret palestineze. Ne u bëjmë thirrje palëve të interesuara që të shmangin hapat, të cilat do të rrisin tensionin në rajon dhe do të pengojnë negociatat ndërmjet Palestinës dhe Izraelit”, thekson MPJ ruse.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, njoftoi të hënën mbrëma se tashmë nuk i shikojnë më si të jashtëligjshme njësitë çifute të banimit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në Bregun Perëndimor, territor palestinez i pushtuar nga Izraeli në vitin 1967, janë ndërtuar rreth 250 vendbanime ilegale. Mbi 400.000 kolonë çifutë që jetojnë në këto vendbanime, po e bëjnë jetën gjithnjë e më të vështirë për palestinezët e Bregut Perëndimor, të cilët jetojnë prej vitesh nën thundrën e pushtimit.
Ligji ndërkombëtar i quan si Bregun Perëndimor ashtu edhe Jerusalemin Lindor si “territore të pushtuara” dhe i konsideron si “të paligjshme” të gjitha aktivitetet e ndërtimit për kolonët çifutë atje.