Thellohet kriza e biznesit të vogël

Mos i humb

Ndërmarrjet e vogla pësuan një rënie tjetër të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2018 duke vijuar tendencën e filluar në vitin 2017 ndërsa shitjet janë përqendruar në një numër të vogël ndërmarrjesh të mëdha, pesha e të cilave në ekonominë kombëtare u rrit për të tretin vit radhazi.

Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve tregojnë se shitjet totale në ekonominë shqiptare gjatë vitit 2018 u rritën me 7%, por një krahasim më i detajuar me të dhënat e viteve të kaluara tregon se rritja ishte shumë e pabarabartë. Kështu, në krahasim me vitin 2017, biznesi i vogël pati rënie të shitjeve me 1.9% ndërsa biznesi i madh pati rritje me 10.6%.

Niveli i shitjeve është vetëm njëra anë e problemit. Treguesi i shitjeve pjesëtuar me numrin e punëtorëve flet për një përqendrim akoma më të madh të shitjeve në duart e biznesit të madh.

Kështu, biznesi i vogël realizoi mesatarisht 2.1 milionë lekë shitje për punëtor gjatë vitit 2018 me rënie 3.1%, biznesi i mesëm i pati shitjet për punëtor në nivel të pandryshuar ndërsa biznesi i madh pati një rritje prej 3.8% te shitjet për punëtor.

INSTAT i klasifikon bizneset si të vogla kur kanë 1 deri në 9 të punësuar, si të mesme 10-49 të punësuar dhe të mëdha kur kanë mbi 50 të punësuar. Në Shqipëri ka aktualisht rreth 101 mijë ndërmarrje të vogla, rreth 5,300 të mesme dhe 1,300 ndërmarrje të mëdha.

Viti 2018 ishte edhe viti i parë në të cilin qeveria e kryeministrit Edi Rama, kundër të gjitha këshillave, vendosi të imponojë regjistrim në sistemin e tatimit mbi vlerën e shtuar të një numri të madh biznesesh të vogla përmes uljes së pragut nga 5 milionë në 2 milionë.

Aktualisht nuk mund të thuhet nëse regjistrimi në TVSH ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë mbi rezultatin e aktivitetit ekonomik të biznesit të vogël apo rënia ka ardhur nga faktorë të tjerë, por ajo që shihet nga shifrat e INSTAT është rënie e numrit të bizneseve, rënie e shitjeve dhe rënie e shitjeve mesatare për punëtor.

Pushteti i rreth 1300 ndërmarrjeve të mëdha në ekonominë shqiptare vijoi të rritet. Në vitin 2018, shitjet e biznesit të madh përbënin 48.5% të totalit të shitjeve nga 46.9 që ishte më 2017 dhe 44.5 më 2016.

Treguesit e investimeve paralajmërojnë gjithashtu për një krizë në të ardhmen e afërt si të biznesit të vogël ashtu edhe të biznesit të mesëm. Ndërmarrjet shqiptare investuan gjithsej 238 miliardë lekë (afro 2 miliardë euro) gjatë vitit të kaluar, por investimet e biznesit të vogël ranë me 20%, ato të biznesit të mesëm ranë me 86% dhe ato të biznesit të madh u rritën me 31%.

Të dhënat kryesore të bizneseve

Biznesi i vogël në mënyrë tipike në Shqipëri ka mesatarisht 1.9 të punësuar, ndërsa realizon shitje mesatare prej 2 milionë lekësh për punëtor në vit. Shitja mesatare për të punësuar ka ardhur në rënie të vazhdueshme përgjatë viteve të fundit. Më 2014 biznesi i vogël realizonte shitje mesatare prej 3 milionë lekësh në vit për të punësuar.

Biznesi i mesëm në Shqipëri ka mesatarisht 19 punëtorë dhe dukshëm është biznesi me produktivittin më të lartë në vend. Sipas të dhënave të Instat, gjatë vitit 2018 një biznes i tillë realizoi mesatarisht 7 milionë lekë shitje për të punësuar.

Në Shqipëri ka edhe rreth 1300 biznese të konsideruara si biznese të mëdha që kanë mbi 50 të punësuar. Gjatë vitit 2018, një ndërmarrje e tillë kishte mesatarisht 4.8 milionë lekë shitje për çdo të punësuar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit