Shqipëri, prezantohet raporti për fëmijët në situatë rruge

Mos i humb

 

 

Gjatë vitit 2017, punonjësit e institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri kanë menaxhuar në total rreth 1650 raste të fëmijëve në nevojë për mbrojtje.

Është prezantuar raporti për gjendjen e fëmijëve në situatë rruge i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, ku në aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, drejtues të institucioneve që kujdesen për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve si dhe përfaqësues të pushtetit lokal.

Në fjalën e saj, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ardiana Jaku, tha se sot është mbledhja e dytë e Këshillit Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe tema kryesore e takimit është diskutimi i draft udhëzimit për përzgjedhjen e përfaqësuesve të fëmijëve në këtë këshill.

“Ne besojmë fort se për perspektivën e fëmijëve ne do të dimë të marrim vendime të zgjuara që do të kenë në fokus fëmijët dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre”, tha ajo.

Duke folur për raportin e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve për vitin 2017, tha se ky raport ka të dhëna të përmbledhura nga të 61 bashkitë e vendit mbi funksionimin dhe punën që është ndjekur në terren për fëmijët.

“Këshilli i Fëmijëve ka tagër ligjor të mblidhet dy herë në vit. Kërkoj angazhimin në çështjet që do të diskutohen me fokus të drejtat e fëmijëve. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është në fazën që po harton projekt vendimet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Ne duam që gjithë vendimet e Këshillit të Ministrave dhe të gjitha udhëzimet të jenë një instrument efikas në ndihmë të gjithë punonjësve të fëmijëve dhe t’ju shërbejë në mbrojtjen e të drejtave të tyre”, deklaroi Jaku.

Sipas Jakut, në Këshillin e Fëmijëve luan një rol të rëndësishëm edhe pushteti lokal. “Duam që në këtë këshill të dëgjojmë dhe zërin e tyre, perspektivën dhe sfidat dhe arritjet që janë bërë në njësitë administrative në çështjet e mbrojtjes së drejtave të fëmijëve’, tha ajo.

Sipas raportit, gjatë vitit 2017 në Shqipëri kanë qenë aktive 29 skuadra terreni të cilat kanë identifikuar 484 fëmijë në situatë rruge në disa bashki të vendit. Ndërkohë, 15 kallëzime penale janë bërë për keqtrajtimin e fëmijëve kryesisht në territorin e Bashkisë Tiranë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit