Tryezë diskutimi mbi sfidat e Kuvendit të Kosovës

Mos i humb

Grupi parlamentar i partisë opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) organizoi tryezën me temë “Sfidat e Kuvendit të Kosovës në realizimin e mandatit kushtetues” ku morën pjesë përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mediave në vend.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili shpalosi pikëpamjet e grupit të tij lidhur me punën e Kuvendit të Kosovës tha se mungesa e një programi të qartë qeverisës ka shkaktuar problem në funksionimin ditor të kuvendit. Ai theksoi se gjatë këtyre tetë muajve të qeverisë Haradinaj shkarkimi i disa bordeve, ndarja e mjeteve për familjet që kanë marrë pjesë në konfliktin e armatosur në Maqedoni kanë qenë jo ligjore, ndërsa vlerësoi se iniciativa për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara nga disa deputetë të qeverisë ka qenë e dëmshme.

Ai shtoi se ka dështuar kontrolli demokratik i Kuvendit mbi Qeverinë e Kosovës. “Ne kemi nxjerrë statistikat ku shihet se në këtë legjislaturë nga 24 seancat që janë thirrur 20 prej tyre janë shtyrë kryesisht në mungesë të kuorumit. Mbledhjet e komisionit poashtu dështojnë vazhdimisht në mungesë të kuorumit në mungesë të shumicës parlamentare të koalicionit qeverisës që tashmë bllokon çështjet në kuvend me mosvotim”, tha Hoti.

Sipas tij duhet të caktohet data e zgjedhjeve në tryezat e ardhshme që do të mbahen me të gjitha grupet parlamentare të Kosovës për mos bllokimin e institucioneve.

Gazetari dhe opinionisti, Adriatik Kelmendi duke theksuar se për të përmbushur misionin e kuvendit është dashur një mbështetje nga Beogradi përmes Listës Serbe, tha se me daljen e Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës as opozita e as pozita nuk kanë fuqi për të vazhduar të funksionojnë brenda Kuvendit.

Ai bëri të ditur se partitë shqiptare që janë në opozitë me 58 deputetë dhe ato në pozitë që kanë numër më të vogël të deputetëve pra 52 nga 120 sa i ka gjithsej Kuvendi duhet të bashkohen për t’i arritur numrat që të krijohet një shumicë në parlament.

Ndërsa, avokati, Dastid Pallaska tha se situata e krijuar në kuvend është si pasojë e koalicioneve joparimore të cilat janë lidhur për persona përkatësisht për liderët duke nënvizuar se politika e liderëve të vendit është më shumë personale sesa në të mirë të vendit. Ai theksoi se vota e secilit deputet është llogaritur jo për jetësimin e demokracisë dhe funksionalizimin e parlamentit, por për ndonjë përfitim të radhës.

Ai konstatoi se koalicionet e mëdha në Kuvendin e Kosovës kanë qenë të dëmshme ndërsa qeveria e pakicës duhet ta na kthejë tek çështjet e rëndësishme për vendin dhe për domosdoshmërinë e krijimit të konsensusit./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit