Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, iu përgjigj me shkrim një pyetjeje në lidhje me lejet e qëndrimit të dhëna nga Shërbimi i Emigracionit dhe Nënshtetësisë (IND) së Holandës për individët e lidhur me FETO-në.
“Është e papranueshme që Shërbimi i Emigracionit dhe Nënshtetësisë së Holandës iu përgjigj pozitivisht kërkesave për azil të anëtarëve të FETO-së dhe u dha atyre leje qëndrimi me arsyetimin se informacionet personale në lidhje me individët e lidhur me FETO-në mund të ishin marrë nga autoritetet turke.
Konventa e Gjenevës mbi Statusin e Refugjatëve (1951) garanton që personat e kërkuar për krime terroriste nuk mund të marrin statusin e refugjatit; me fjalë të tjera, Konventa synon të parandalojë shpërdorimin e «statusit të refugjatëve» nga terroristët.
Pritja dhe përpjekjet tona për ekstradimin e anëtarëve të FETO-së, të cilët qëndrojnë prapa përpjekjes së pabesë të grushtshtetit të 15 Korrikut (2016) me pasojë martirizimin e 251 qytetarëve të pafajshëm dhe plagosjen e mijëra të tjerëve, do të vazhdojnë. Nuk duhet harruar që kjo organizatë terroriste është një kërcënim jo vetëm për Turqinë, por edhe për çdo vend ku operon, si dhe që bashkëpunimi ndërkombëtar ka një rëndësi të madhe në luftën kundër terrorizmit”, thuhet në komunikatën me shkrim të zëdhënësit të MPJ turke, Hami Aksoy.