Nadide Sebnem Aktop, oficere e prezantimit të Drejtorisë së Informacionit dhe Marrëdhënieve me Publikun pranë Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare dhe nënkolonele e Forcave Detare të Turqisë, organizoi një mbledhje informuese në Ankara.
Sipas zyrtares ushtarake turke, deri më sot janë asgjësuar mbi 2.000 mjete shpërthyese të improvizuara dhe mina të kurthuara nga terroristët në zonën e fushëveprimit të Operacionit “Burimi i Paqes” në Siri.
“Në kuadër të Operacionit «Burimi i Paqes», Klinika e Lëvizshme e Forcave të Armatosura të Turqisë ka mbërritur deri në fshatrat më të thella të Tell Abyadit dhe Ras al-Aynit për t’u ofruar shërbime shëndetësore qytetarëve sirianë, si dhe ka transferuar në spitalet e rajonit pacientët në gjendje shëndetësore kritike”, shpjegoi nënkolonelja Aktop.
Ajo tërhoqi vëmendjen se kanë konstatuar që terroristët i përdorin shkollat në këtë zonë si punëtori raketahedhësesh dhe se kanë riparuar e rinovuar shkollën e dëmtuar nga terroristët në fshatin Nukra.
Oficerja turke theksoi mes të tjerash se Forcat e Armatosura të Turqisë vazhdojnë të respektojnë memorandumet e nënshkruara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusinë mbi spastrimin e terrorizmit nga veriu i Sirisë.
Sa u përket operacioneve “Kthetra” në veri të Irakut, Aktop vuri në pah se në këtë kontekst janë neutralizuar 163 terroristë deri më sot.
“Forcat e Armatosura të Turqisë kanë shkatërruar 53 shpella, të cilat përdoreshin si vendstrehime dhe depo nga terroristët, si dhe kanë asgjësuar 78 mjete shpërthyese të improvizuara dhe mina”, shtoi zyrtarja ushtarake turke.